Toshkovski: Po hetohen tifozët e “Komitëve” për fyerje etnike në ndeshjen Vardari–Bashkimi

Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi se janë duke ndërmarrë masa për të zbuluar tifozët e “Komitëve” që fyen në bazë etnike në ndeshjen e së shtunës mes Vardarit dhe Bashkimit.

Toshkovski tha se MPB-ja është duke siguruar dëshmi dhe është duke identifikuar kryerësit.

Në seancën e pyetjeve të deputetëve, i pyetur për ngjarjen nga deputetët e Frontit Evropian, Toshkovski tha se ka ndjerë neveri kur ka dëgjuar brohoritjet gjatë ndeshjes e për këtë akuzon BDI-në se nuk ka punuar për të përmirësuar gjendjen për njëzet vite në pushtet.

“E neveritshme ndjenja! Është e neveritshme dhe shumë e keqe. Skena të tilla ka çdo kund në botë në ndeshje sportive. Po të vepronit ju në 20 vitet e kaluar nuk do të ishim në këtë gjendje. Kur ju të luftoni për maqedonasit ashtu siç unë luftoj për shqiptarët, qytetarët do të kenë qasje më ndryshe ndaj të gjitha sfidave dhe do të kishim shoqëri të mirë. Ministria po vepron, i identifikon kryerësit, shqyrton argumentet dhe do të veprojë në përputhje me dëshmitë që do ti sigurojmë”, tha Pançe Toshkovski – Ministër i Brendshëm./ Alsat.mk