Operacioni i djeshëm policor, në të cilin u gjetën dhe u sekuestruan rreth 35 ton mjete piroteknike, është provë se Ministria e Punëve të Brendshme ka hyrë me vendosmëri në luftën, veçanërisht kundër krimit të organizuar, theksoi sot ministri resor Pançe Toshkovski.
Pas promovimit të 120 automjeteve të reja për policinë e Maqedonisë së Veriut në rrethin e MPB-së, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai theksoi se dërgesa të tilla të materialeve piroteknike ishin kryer me vite. Sipas informacioneve të tij fillestare, ky ishte ndoshta një nga importuesit më të mëdhenj të mjeteve të tilla të paligjshme në vend.
“Po tregojmë vendosmëri dhe po veprojmë në drejtim të rastit konkret. Më shumë detaje do të njoftohen gjatë ditës në lidhje me veprimet e mbetura që do të ndërmerren në bashkëpunim me Prokurorinë. Lidhur me të gjitha aktivitetet e tjera operative të Ministrisë, jemi të pranishëm në terren, po ndërmarrim veprime përkatëse me qëllim ruajtjen e sigurisë në vend”, deklaroi Toshkovski.
Ai konfirmoi se situata e sigurisë në vend është e qëndrueshme dhe se policia do të jetë në dispozicion në terren edhe gjatë natës së ndërrimit të viteve dhe festave pas Vitit të Ri, veçanërisht aty ku ka një frekuencë më të madhe të qytetarëve.
“Do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme brenda kompetencës tonë për të përmbushur nevojat e qytetarëve”, tha Toshkovski.




