“Tollovi” në Aeroportin e Prishtinës, fluksi i madh i mërgimtarëve, rreth 60 aeroplanë pritet të ulen sot

Fluksi i ardhjes së mërgimtarëve në Kosovë ka nisur të intensifikohet, ndërsa vetëm gjatë ditës së sotme në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë pritet të aterojnë rreth 60 aeroplanë nga destinacione të ndryshme ndërkombëtare, transmeton albinfo.ch.

Sipas informacioneve të publikuara, pjesa më e madhe e fluturimeve do të vijnë nga Zvicra, Gjermania, Turqia dhe Austria, vende ku jeton një numër i madh i bashkatdhetarëve.

Me fillimin e sezonit të pushimeve verore, shumë mërgimtarë kanë nisur të kthehen në Kosovë për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre, ndërsa në mesin e udhëtarëve ka edhe turistë të huaj.

Autoritetet nga aeroporti presin që fluksi i udhëtarëve të vazhdojë të rritet edhe gjatë fundjavës, kur parashikohen edhe më shumë ardhje në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, duke shënuar një nga periudhat më të ngarkuara të sezonit veror./Albinfo.ch