Avokatët e të pandehurve për prishjen e kompleksit “Cosmos” nuk qëndrojnë të qetë. 7 ditë nga seanca për rastin TNT, mbrojtja me anë të shkresave iu drejtua opinionit për lëshime gjatë gjykimit. Merxhan Dauti, avokat i inspektores së ndërtimeve, Elizabeta Najdovska, ankohet se Gjykata ia kufizon të drejtën e tij për të përdorur gjuhën shqipe. Kërkon përkthimin e të gjitha materialeve dhe provave dhe respektim të Ligjit të Gjuhëve.
Mossigurimi i përkthimit për të gjitha dokumentet dhe materialet e nevojshme, respektivisht mossigurimi i përkthimit simultan gjatë gjithë rrjedhës së procedurave përbën një shkelje thelbësore të procedurës- deklaroi Merxhan Dauti, avokat.
Përveç Dautit, letër shkroi edhe Jovica Strashevski, e cili përfaqëson ish kryetarin e Komunës së Gazi Babës Toni Trajkovskin, gjithashtu i pandehur në rastin “TNT”. Atë e dorëzoi tek gjykatësja porotë Liljana Ivanovska – Koçovska, të cilës mandati katër vjeçar i skadoi më 24 dhjetor. Strashevski thekson se Këshilli Gjyqësor zgjedh dhe shkarkon porota, por nuk konstaton përfundim të skadimit të mandatit. Gjykatëses porotë i tha të mos vinte më në seanca gjyqësore në rolin e porotës.
Nëse vazhdoni të paraqiteni në seanca gjyqësore si gjykatës porotë do të bëni vepër penale përfaqësim të rremë sipas nenit 391 të Kodit Penal për çka parashikohet dënim me burg- tha Jovica Strashevski, avokat.
Gjykimi për rastin “TNT” para Vitit të Ri shkaktoi nervozizëm në sallën e gjyqit. Përfundimi i çështjes krijoi lojë nervash. Avokatët që përfaqësonin të pandehurit u tërhoqën. Vendosën të tjerë. Mbrojtja apeloi që mandati i gjykatësit porotë ka skaduar, por megjithatë gjykata vendosi të ketë seanca. Vetëm një ditë para gjykimit, i pandehuri Toni Trajkovski raportoi se ishte rrahur dhe gjykimi u shty për më datën 17 të këtij muaji. Përveç ish kryetarit të komunës së Gazi Babës, të pandehur janë Mile Janakieski, i arratisuri Nikolla Gruevski dhe katër të tjerë. Gjykimi për rastin “TNT filloi në 24 Janar, dy vjet më parë./Alsat