Një ngjarje e rëndë dhune është regjistruar gjatë mbrëmjes së djeshme në fshatin Vizbegë të Shkupit, ku një person është sulmuar brutalisht brenda shtëpisë së tij nga disa fqinj.
Sipas njoftimit zyrtar nga MPB, rasti është denoncuar në polici sot rreth orës 01:00 pas mesnate. Viktima, 57-vjeçari me iniciale N.B., ka deklaruar se rreth orës 22:30 të ditës së djeshme, disa persona që jetojnë në fqinjësi me të, kanë thyer me forcë derën e hyrjes së shtëpisë së tij dhe kanë hyrë brenda duke e sulmuar fizikisht.
Sipas dëshmisë, njëri nga sulmuesit e ka goditur 57-vjeçarin disa herë në kokë me dorezën e një pistolete. Gjatë këtij incidenti të dhunshëm, sulmuesit nuk kanë kursyer as djalin e mitur të pronarit të shtëpisë, duke e shtyrë me forcë.
Sektori për Punë të Brendshme (SPB) Shkup njofton se janë duke u ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit dhe dokumentimin e veprimeve të personave të përfshirë në këtë sulm.






