Tmerr në Francë/ 9-vjeçari gjendet pas më shumë se një viti i izoluar në furgon nga babai i tij

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Francën lindore, ku një djalë vetëm 9 vjeç është shpëtuar pas më shumë se një viti izolimi të plotë brenda një furgoni, ku dyshohet se mbahej i mbyllur nga babai i tij.

Sipas mediave të huaja, fëmija u gjet të hënën (6 prill) në gjendje jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore, pasi dyshohet se kishte qëndruar i izoluar në mjet që nga fundi i vitit 2024, kur ishte vetëm 7 vjeç.

Autoritetet franceze bëjnë me dije se i mituri nuk ishte në gjendje të ecte për shkak të mungesës së lëvizjes dhe kushteve të rënda të jetesës, ndërsa shfaqte shenja të theksuara të kequshqyerjes dhe neglizhencës.

Policia ndërhyri pas denoncimeve të fqinjëve, të cilët kishin dëgjuar zë fëmije që vinin nga një furgon i parkuar. Kur uniformat blu mbërritën në vendngjarje, u përballën me një skenë tronditëse, ku fëmija u gjet i zhveshur, i mbështjellë me batanije dhe i shtrirë mbi një grumbull mbeturinash, pranë jashtëqitjeve njerëzore.

Sipas dëshmisë së tij, 9-vjeçari nuk lejohej të dilte nga furgoni as për nevoja personale, duke u detyruar të përdorte shishe dhe qese plastike për nevojat higjienike. Ai ka deklaruar gjithashtu se nuk ishte larë që prej vitit 2024.

Hetimet kanë zbuluar se babai 43-vjeçar e vizitonte furgonin dy herë në ditë, duke i sjellë ushqim dhe ujë. Fëmija ka treguar se ushqehej dy herë në ditë, ndërsa për një periudhë të shkurtër gjatë verës së kaluar i ishte lejuar të qëndronte në banesën e familjes.

Babai ka pretenduar para hetuesve se e kishte mbajtur fëmijën në furgon për ta “mbrojtur”, pasi partnerja e tij nuk e pranonte në shtëpi dhe kishte kërkuar që të dërgohej në institucion psikiatrik.

Megjithatë, prokuroria franceze thekson se i mituri nuk kishte probleme psikiatrike të dokumentuara dhe se më parë kishte rezultate të mira në shkollë.

43-vjeçari është arrestuar dhe akuzohet për rrëmbim, mbajtje të paligjshme dhe privim të lirisë së të miturit, si dhe për mungesë ushqimi e kujdesi. Ndërkohë, dy fëmijët e tjerë të familjes janë vendosur nën mbrojtjen e autoriteteve.

Partnerja e tij po ashtu është vënë nën hetim për mosdenoncim të rastit dhe neglizhencë ndaj të miturit, pasi dyshohet se kishte dijeni për situatën.

Autoritetet franceze po vijojnë hetimet, ndërsa fëmija ndodhet nën kujdes mjekësor dhe psikologjik.