Titulli i papritur i Rilindjes Demokratike: PD të ndahet nga Berisha!

Sekretarja e sapozgjedhur në Partinë Demokratike për të përndjekurit politikë, Anila Godole nuk ka humbur kohë për t’u dëgjuar në korridoret e PD-së. Menjëherë sapo ka marrë detyrën, Godole ka bërë një deklaratë që ka thyer kodin e heshtjes për një nga temat më delikate të momentit në kampin opozitar. Ajo e ka bërë të qartë qëndimin e saj se Partia Demokratike duhet të distancohet nga Sali Berisha, njësoj si CDU u distancua dikur nga Kohl. (Linku ketu)

“Vendimi i z. Berisha është vendim personal i tij. Çdo forcë politike tregon pjekurinë e vet pikërisht në këto lloj momentesh të rëndësishme. Kjo do ta çojë PD përpara ose jo, këto janë kosto që do t’i mbajnë ata. Unë kam thënë që bota ka treguar që dhe personalitete të mëdha, të cilët kanë qenë absolutisht të rëndësishëm për gjithë Evropën, ku kam sjellë në vëmendje rastin e ish-kancelarit gjreman Helmut Kohl, në një moment të caktuar partisë i është dashur të marrë një vendim, që të ndahej prej tij, por duke respektuar kontributin e tij deri në fund. Këto janë vendime që i marrin partitë vetë. Këto janë modele që unë i kam sugjeruar. Nëse mua do më pyesin sot nga brenda PD, patjetër që do ta sugjeroj këtë dhe do flas hapur. Por kjo është pjesë e PD, duhet të tregojë se është vërtet një parti që e meriton të vijë në pushtet. Unë shpresoj shumë që PD të bëjë zgjidhjen e tyre” ka thënë Godole.

Por ndërsa Godole sqaron se qëndrimin që po mban sot nga pozitat e Sekretares së PD-së, e ka shprehur edhe para se të zgjidhej në këtë post, ka habitur pasqyrimi i menjëhershëm i intervistës së saj në organin zyrtar të Partisë Demokratike.

Me një titull direkt ku i mëshohet ndarjes së PD nga Berisha, Rilindja Demokratike nuk ka ngurruar të përcjellë deklaratën e Godoles, duke i dhënë zë idesë së një sulmi të drejtpërdrejtë që i bëhet Berishës nga strukturat e reja të Partisë Demokratike. Organi zyrtar nuk mban qëndrim për deklaratën e Jonila Godoles, por që në fjalinë e parë theksohet ideja e ndarjes së Berishës nga PD. Thjesht fakti që organi zyrtar i Partisë Demokratike përcjell një ide, që deri dje ishte “blasfemi” në PD, mund të lërë hapësirë për hamendësime.

Vetë Lulzim Basha nuk është shprehur në asnjë moment për ultimatumin që i dha Juri Kim në fillim të gushtit. Në intervistën që ka dhënë Godole thotë se nuk kishte pasur njohje personale me Lulzim Bashën, duke lënë të vagullt se nga i kishte ardhur ftesa për të qenë pjesë e PD.

 

Gjithsesi koha që ambasadorja Juri Kim la për një përgjigje për Lulzim Bashën po mbaron. Në shtator do të nisë legjislatura e re parlamentare dhe deri tani, askush nga strukturat e PD-së nuk e kishte prekur temën tabu, që vë në diskutim pozicionin e Berishës brenda apo jashtë PD-së./Lapsi.al