Tiroli Jugor dhe Kosova

Muhamer Pajaziti

Procesi i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë po shkon drejt epilogut. Përfaqësues të qendrave vendosëse synojnë që deri në fund të vitit dy shtetet të arrijnë në marrëveshje, e cila parasheh njohjen reciproke.

Një nga modelet që po diskutohet është edhe Tiroli Jugor, një rajon autonom në Italinë Veriore, që rregullon të drejtat e komuniteteve italiane dhe gjermanofolëse.

Konstitucionalizmi i këtij rajoni autonom ka arritur që të shuajë tendencat separatiste midis dy komuniteteve më të mëdha në këtë vend, që kishin shprehur padurueshmëri dhe mosmarrëveshje, edhe pse në vitin 1946 ishte miratuar një kushtetutë për një autonomi më të gjërë, dhe në vitet e 70 ishin ulur gjakrat, pasi me një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 1971 ishte vendosur një autonomi edhe më e zgjeruar.

Ky rajon autonom me rreth 1 milion banorë, ku 60 për qind janë italianofolës dhe 35 për qind gjermanofolës ndoshta vlen të jetë nën thjerrëzën e shqyrtimit politik në Maqedoni, por jo në Kosovë.

Në Maqedoni mund të zbatohej (për shkak ngjajshmërive me strukturën e popullsisë) veçmas në planin e decentralizimit, relacionet midis pushtetit qendror dhe lokal duke përfshirë aspektet politike, financiare, kulturore dhe trashëgimore.
Ndërsa në Kosovë është model i cili nuk përshtatet me asnjë parametër apo statistikë. Serbët e Kosovës janë një minoritet me një popullsi prej 5 apo 6 për qind dhe i gëzojnë të gjitha të drejtat personale, civilo-politike e ekonomiko-sociale si askund në botë.

Kjo ishte dhuratë e ndërkombëtarëve, duke filluar nga diplomati gjerman, Michael Steiner, i cili në kohën sa ishte kryeadministratorë i Kosovës kishte theksuar se pa të drejtat e plota të serbëve, ky shtet nuk mund të ecte para. Ai madje i kishte vendosuar edhe standardet para statusit përfundimtarë të Kosovës.

Ky ishte edhe kompromisi i madh i politikanëve kosovarë, të cilin nuk kërkonin kërkim falje nga Serbia për krimet e bëra para dhe gjatë luftës së vitit 1999. Nuk kërkonin nga Serbia që ti paguaj reparacionet e luftës dhe nuk guxonin të flisnin për një padi për gjenocid.

Mos të flasin pastaj për mijëra shqiptarë të zhdukur që nuk i dihen akoma eshtrat e tyre dhe tmerrin e familjarëvë që për njëzet vite jetojnë në ankth me kujtimet për më të dashurit e tyre.

Modeli i Tirolit të Jugut për Serbët e Kosovës do të thoshte një autonomi jo territoriale, i cili me kohë do ti rriste apetitet e serbëve për bonjëzimin e Kosovës. Serbët nuk e kanë mentalitetin e popujve të shteteve perëndimore që të zbatojnë parimet e një marrëveshje, ata gjithmon udhëhiqen nga politikat ekspansioniste.

Modeli i Tiroli i Jugut do ti mundësonte serbëve një vetë-qeverisje territoriale, që konsiston në kompetenca të bartura ligjërisht apo territorialisht për të ushtruar funksione të politikave publike (legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore), në mënyrë të pavarur nga burimet e tjera të autoritetit shtetëror, por që në përgjithësi i nënshtrohen rendit dhe ligjit shtetëror.

Formimi i një regjimi të tillë mund të përfshijë një gamë të gjerë të strukturave institucionale nga fuqizimi i vetëqeverisjes vendore deri në ushtrimin e të drejtave të plota simetrike dhe asimetrike të organizimeve federale, si dhe autonominë ( kulturore dhe personale) jo-territoriale. Këto të drejtat sigurisht se do të keqpërdoreshin nga sebët, të cilët nuk janë lojaj ndaj institucioneve të Kosovës dhe dirigjohen nga Beogradi.

Tiroli Jugor në kontekstin specifik italian hyn në kategorinë e organizimeve asimetrike në marrëdhëniet e tij me qeverinë qendrore në Romë në krahasim me rajonet dhe provincat e tjera italiane. Ky rajon përfshin elemente të autonomisë së brendshme jo-territoriale, veçanërisht sa i përket sistemit arsimor, ndërsa është funksional edhe mekanizmi i mirënjohur dhe relativisht i gjerë që zgjidh konflikte apo ndarje të pushtetit ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore.

Përveç aspektit të autonomisë së fragmentuar ( p.sh. autonomia joterritoriale për dy grupet më të mëdha në provincë, së pari në fushën e arsimimit), Tiroli i jugut shfaq gjithashtu karakteristika të tjera tradicionalisht të lidhura me ndarjen e detyrueshme të kompetencave ekzekutive për zgjidhjen e konflikteve ndërmjet palëve që përfaqësojnë grupet më të mëdha etnike në provincë, të drejtën e vetos për grupin minoritar vendas, dhe parimin e proporcionalitetit, përfshirë atë të punësimit në sektorin publik dhe përbërjen e ekzekutivit.