Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, ndodhej për një vizitë dyditore në Tiranë në maj të vitit 2012, ku në agjendë kishte takime të rëndësishme me presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto.
Por, teksa ishte i angazhuar me politikën e ditës në Tiranë, i kishte rënë në sy edhe një detaj tjetër: vajzat e jashtëzakonshme shqiptare.
Këtë, ia përcolli edhe Jeffrey Epstein një ditë më vonë përmes një emaili, duke e njoftuar se ai kishte qenë në vendin tonë.
Sipas arkivave të kohës, Jagland u takua me kryeministrin Berisha, të cilin e uroi për marrjen e kryesimit të radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, raporton topchannel.
Tirana në atë periudhë po vlonte nga debati për zgjedhjen e presidentit, kur Bamir Topi ishte në muajin e fundit të mandatit dhe Sali Berisha nuk i kishte votat e mjaftueshme për të zgjedhur kreun e ri të shtetit në tre raundet e para.
Në konferencën për shtyp të 24 majit 2012, Jagland, i cili kishte qenë më parë edhe kryeministër i Norvegjisë, bëri thirrje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Një ditë më vonë, mbresat e tij për vendin tonë kishin mbetur te “vajzat e jashtëzakonshme të Tiranës”.



