TikTok në qendër të hetimit: Verifikimi i moshës dhe përmbajtjet e dëmshme nën lupë

Autoriteti britanik i komunikimeve, Ofcom, ka nisur një hetim zyrtar për të përcaktuar nëse TikTok po dështon në mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme në platformë.

Hetimi do të shqyrtojë nëse rrjeti social po respekton detyrimet e përcaktuara në Online Safety Act, ligji britanik për sigurinë në internet, i cili ka hyrë në fuqi në faza që nga tetori i vitit 2023.

Ky veprim vjen pasi një rishikim i Ofcom vlerësoi se TikTok nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për mbrojtjen e përdoruesve të mitur, pavarësisht provave të shumta që tregojnë se fëmijët mund të ekspozohen ndaj përmbajtjeve të dëmshme. Një raport tjetër gjithashtu ngriti shqetësime se fëmijët po hasin materiale të papërshtatshme gjatë përdorimit të aplikacionit, shkruan Sky News, transmeton Klanokosova.tv.

Sipas Ofcom, edhe sistemet e verifikimit të moshës të përdorura nga TikTok mund të kenë dështuar të identifikojnë saktë një numër të konsiderueshëm të përdoruesve të mitur.

“Ky hetim synon të përcaktojë nëse ka baza të arsyeshme për të besuar se TikTok ka shkelur ose po shkel detyrimet e tij ligjore”, deklaroi rregullatori britanik, duke theksuar se hapja e hetimit nuk do të thotë se është arritur tashmë në përfundimin se kompania ka shkelur ligjin.

Nëse konstatohen shkelje, Ofcom ka kompetencën të vendosë gjoba deri në 18 milionë paund ose 10% të të ardhurave globale vjetore të kompanisë, varësisht se cila shumë është më e lartë. Gjithashtu, mund të kërkojë nga gjykata masa shtesë, përfshirë detyrimin e ofruesve të internetit për të kufizuar ose bllokuar qasjen në platformë.

Hetimi vjen vetëm një muaj pasi qeveria britanike njoftoi ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale për personat nën moshën 16 vjeç. Masa pritet të hyjë në fuqi në pranverën e vitit 2027 dhe do të përfshijë platforma si TikTok, Instagram, Facebook, YouTube, Snapchat dhe X, transmeton Klankosova.tv.

Ndërkohë, autoritetet britanike kanë njoftuar edhe masa të reja për përdoruesit 16 dhe 17 vjeç, të cilët do të kenë mundësi të aktivizojnë kufizime gjatë orëve të natës për përdorimin e rrjeteve sociale, si dhe të çaktivizojnë funksionin e “infinite scrolling” (lëvizjen e pafundme të përmbajtjes), me synimin për të reduktuar kohën e kaluar në platforma.