“Tigrat” hynë në burgun e Idrizovës, dyshohet për vepra të kryera penale

Pjesëtarët e Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigri” kanë hyrë mëngjesin e sotëm në burgun më të madh në vend. Siç konfirmojnë nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup, bastisjet janë duke u bërë për shkak të dyshimit për vepra penale. Siç mësohet, kërkohet drogë dhe sende të tjera, transmeton Portalb.mk.

“Në një aksion të koordinuar nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, për shkak të dyshimeve për vepra të kryera penale, mëngjesin e sotëm janë kryer bastisje në INP Idrizovë – Shkup me qëllim të sigurimit të materialit dëshmues”, njoftuan shkurtimisht nga Prokuroria Publike e Shkupit.

Burgu në Idrizovë disa herë deri më tani ka qenë cak i bastisjeve për shkak të dyshimit se ata që ndodhen pas hekurave për shkak të krimeve, vazhdojnë zinxhirin nëpër qelitë e burgut. Në disa raste gjatë kontrolleve janë gjetur celularë, drogë, sende të mprehta, para…

Bastisja në repartin gjysmë të hapur në burgun “Idrizovë” është bërë në fundjavën e fundit të tetorit kur disa nga të burgosurit kanë bërë rezistencë dhe më pas janë përleshur me policinë. Gjatë kontrollit u gjetën 63 aparate celularë, 82 thika, 71 karikues telefoni dhe drogë.

Disa prej të burgosurve kanë treguar për mediat se kanë përfunduar me kocka të thyera pasi janë sulmuar dhe rrahur nga policia. Siç ka raportuar TV Telma, ata kanë pohuar se janë dhunuar, ndërsa nëndrejtori i burgut, Femi Jonuzi, ka konfirmuar se është thirrur Shërbimi i Urgjencës Mjekësore.

Avokati i Popullit atëkohë tha se në këtë rast janë tejkaluar kompetencat e policisë.