Tifozët kroatë brohoritën “v*ite serbin” në mes të Podgoricës, ja si reaguan malazezët

Futbollistët kroatë e mposhtën Malin e Zi me rezultat 3:2 në Podgoricë të hënën, por më shumë sesa ndeshja që s’kishte shumë vlerë morën vëmendje disa incidente në tribuna.

Siç shkruan sot portali malazez Vijesti, nga tribuna në jug të stadiumit në Podgoricë, ku ishin të vendosur kroatët, në fillim të ndeshjes u dëgjuan brohorima “Vrite serbin”, “Gati për atdhe” dhe “Flamuri ustash po valëvitet” – këto dy të fundit sllogane të lidhura me ustashët.

Siç shkruan Vijesti, stadiumi në Podgoricë iu përgjigj këtyre brohoritjeve me fishkëllima të forta.

Ja se si e shpjegon gazeta malazeze atë që ndodhi në ndeshje.

Për më tepër, tifozët kroatë shfaqën një banderolë me mbishkrimin “s’ka falje”, duke aluduar në slloganin e tifozëve malazezë në ndeshjen e parë në Zagreb: “Nga Lovçeni vajton Zana, na fal Dubrovnik”. Tifozët malazezë, me këtë mesazh kërkuan falje për bombardimet e Dubrovnikut gjatë vitit 1990 nga ushtria jugosllave. Bombardimet asokohe kishin nisur nga territori i Malit të Zi.

Në atë ndeshje të kaluar, dy muaj më parë në Zagreb, ajo banderolë ishte pritur me duartrokitje.

Përgjigja e tifozëve malazezë në fund ishte me brohoritjet: “Ustashë, çetnikë, ikët së bashku”, shkroi Vijesti.

Spikeri i stadiumit vazhdimisht gjatë ndeshjes parlajmëroi tifozët që të përmbahen nga thirrjet politike, fyese dhe nacionaliste.