Komiteti Helsinkit për të drejtat e njeriut, për vite me radhë kërkon rregullimin e mënyrës së funksionimit të tifo grupeve për shkak gjuhës së urrejtjes e që shpesh ka ditur të kalojë edhe në dhunë, por për iniciativën e tyre nuk kanë gjetur asnjë mbështetje. Nga Komiteti konsiderojnë se përskaj sanksioneve nga ana e institucioneve, jetike është edhe puna e drejtpërdrejtë me pjesëtarët e tifo grupeve, zgjidhja e konflikteve në mënyrë paqësore dhe shtytje për të rishqyrtuar ekzistencën e tyre në aspekt konstruktiv.
“Çdo vit alarmojmë institucionet që të ngritin procedura për sanksionim të gjuhës së urrejtjes por Prokuroria Publike nuk dëgjon. Komiteti Helsinkit ka dorëzuar dhjetëra denoncime por nuk është ngritur asnjë akuzë nga Prokuroria. Apelojmë deri te MPB dhe Prokuroria Publike urgjentisht të veprojnë në bazë të masave të paralajmëruara për sanksionim të ngjarjeve të tilla. Zbatimi selektiv i ligjeve në bazë të përkatësisë etnike apo politike të kryerësve është i papranueshëm dhe rrënon besimin në institucione”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.
Nga Komiteti i Helsinkit thonë se për vite me radhë, gjuha e urrejtjes është bazuar më së shumti në përkatësi etnike ndërsa kryerësit janë kryesisht të rinj. U bëjnë thirrje klubeve sportive që të kundërshtojnë këtë fenomen dhe të mbështesin kulturën e tolerancës, dialogut dhe respektimin e dallimeve. Nga Komiteti japin shembuj nga vendet evropiane ku tifo grupe huligane janë shndërruar si aktivistë për mbështetje dhe qëllime humanitare. /Alsat.mk



