Thirrje për vaksinim pavarësisht rënies në infektime

Interesimi për vaksinim për mbrojtje nga koronavirusi, ka shënuar rënie të theksuar edhe në Maqedoninë e Veriut.

Deri të hënën, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, me dy doza është vaksinuar rreth 35 për qind e popullsisë së përgjithshme, apo afër 800 mijë persona, ndërsa prej tyre 750 mijë apo 38 për qind me nga një dozë.

Që nga aplikimi i dozës të tretë janë vaksinuar rreth 10 mijë persona.

Ministria, në muajin shtator pati nisur edhe fushatën “Vaksinohu”, ndërsa prej atëherë janë miratuar edhe masa tjera si kufizimi i lëvizjes së personave të pavaksinuar në ambiente të mbyllura dhe në manifestime sportive, por këto masa nuk dhënë efektet e pritura.

Instituti i Shëndetit Publik, nga dita e hënë, 25 tetor, ua ndalon hyrjen në këtë institucion të gjithë personave të pavaksinuar ndërsa drejtori i këtij institucioni, Shaban Mehmeti, thotë se masa të tilla duhet të ndërmarrin të gjitha institucionet shtetërore.

“Neglizhenca e qytetarëve apo mosvaksinimi është një gabim shumë i madh si për shëndetin e tyre. Unë mendoj se Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, duhet të ndërmarrin veprime apo masa sa i përket vaksinimit dhe pranisë në punë, si masë për mbrojtje nga COVID-19 dhe transmetimin nga një person te tjetri. Të gjithë personat e punësuar në administratën shtetërore, shëndetësore, në Qeveri, Kuvend e organe tjera shtetërore, duhet të kenë dëshmi vaksinimi”, thotë Shaban Mehmeti, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik.

Rajoni i Tetovës, në muajt gusht dhe shtator ishte më i goditur nga COVID-19, pas lehtësimit të masave për dasmat dhe manifestimet tjera familjare në muajt qershor dhe korrik.

Tetova deri tani ka regjistruar 512 të vdekur nga COVID-19, duke u bërë qyteti i dytë, pas Shkupit, me më shumë viktima.

Në gjithë vendin deri tani janë regjistruar 7,036 persona të vdekur.

Tetova, tani është në mesin e qyteteve me më pak të vaksinuar. Nga rreth 1,500 persona sa vaksinoheshin në muajin shtator, tani ky numër sillet mes 100 dhe 150 persona në ditë.

“Dua të bëj thirrje te të gjithë qytetarët që nuk janë vaksinuar, ta bëjnë këtë gjë sa më parë. Ne nuk duhet të harrojmë periudhën që kaluam kur kishim një intensitet të lartë të të infektuarve, rritje drastike edhe të viktimave. Prandaj apeloj që sa më parë të vaksinohen, që të mos kthehet periudha të cilën askush nuk e dëshiron”, thotë mjeku nga Tetova, Besnik Mustafa.

Epidemiologu Dragan Danillovski, thotë se vaksinimi mbetet mjeti i vetëm për luftimin e pandemisë andaj edhe qytetarët nuk duhet të hezitojnë për marrjen e vaksinës nëse duan që vendi dhe jeta e tyre të kthehen në normalitet.

“Vaksinimi kundër sëmundjes COVID-19 është kyç pasi të dhënat, jo vetëm nga shtetet e rajonit, por edhe më gjerë, tregojnë se atje ku vaksinimi është i lartë, apo ku ka arritur deri në 80 për qind të vaksinimit të popullatës, COVID-19 është një sëmundje e lehtë, pa viktima apo të sëmurë rëndë. Në shtetet e rajonit, imunizimi i popullatës sillet mes 35 dhe 40 për qind, andaj edhe kemi më shumë raste të të infektuarve dhe të vdekurve, me mundësi që të kemi edhe mutacione të reja”, thotë Dragan Danillovski.

Ai thotë në kohën kur më shumë se gjysma e popullatës nuk dëshiron të vaksinohet, institucionet duhet të marrin masa që situata të mos përkeqësohet.

Në rajon, shteti i Serbisë prin me përqindjen më të lartë të vaksinimit të qytetarëve kundër koronavirusit.

Deri më tash ky shtet ka vaksinuar mbi 42 për qind të popullsisë së përgjithshme, Maqedonia e Veriut mbi 36 për qind, Mali i Zi 38 për qind, Shqipëria mbi 30 për qind, ndërkaq Bosnje e Hercegovina ka arritur të vaksinojë vetëm mbi 15 për qind të popullsisë së përgjithshme./REL