Thirrja britanike në OKB, ekspertët zbardhin arsyet pse Serbia nuk e dorëzon Milan Radoiçiqin

Edhe pse kanë kaluar dy vite që nga sulmi terrorist në Banjskë të Kosovës, Serbia vazhdon ta mbrojë kriminelin Milan Radoiçiq, i cili është i akuzuari kryesor, njëherësh edhe organizator i sulmit terrorist.

Gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që u mbajt së fundi, përfaqësuesja e Britanisë, Jennifer MacNaughtan, i ka bërë thirrje Serbisë që ta dorëzojë kriminelin Milan Radoiçiq.

“Llogaridhënia për sulmin në Banjskë dhe për sulmet ndaj KFOR-it është pritur shumë gjatë”, ka thënë MacNaughtan.

Por pavarësisht thirrjes britanike, ekspertët dhe njohësit e zhvillimeve në vend nuk presin që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin tek organet shtetërore të Kosovës.

Sipas tyre, Radoiçiq është njeriu kryesor i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, dhe ka vepruar nën urdhrat e tij. Kjo, sipas tyre, është njëra nga arsyet pse Vuçiq vazhdon t’i garantojë sigurinë kriminelit Radoiçiq.

Mesazh për Serbinë

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca, thotë se deklarata nga përfaqësuesja e Britanisë është një mesazh i qartë për Serbinë.

Image

Mirsad Voca

Foto galeri

“Qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar në Këshillin e Sigurimit, që kërkon dorëzimin e Milan Radoiçiqit nga Serbia, është një mesazh i qartë moral dhe politik: nuk mund të ketë paqe e stabilitet në Ballkan përderisa aktet terroriste dhe strukturat kriminale mbrohen nga vetë shteti që i ka prodhuar”, shprehet Voca.

Voca thotë se Serbia e ka të pamundur të dorëzojë Radoiçiqin, jo pse nuk mundet, por sepse ai është pjesë organike e aparatit të saj politik dhe të bandave kriminale të Serbisë për destabilizim në veri të Kosovës.

“Ai nuk është thjesht një individ i dalë jashtë kontrollit, por është produkt i një politike shtetërore serbe që për vite ka mbajtur gjallë idenë e kontrollit paralel dhe të destabilizimit të Kosovës. Kjo është arsyeja pse ai gëzon mbështetje të heshtur dhe të hapur nga Beogradi. Dorëzimi i tij do të ishte pranim i fajit institucional nga Serbia për ngjarjet e Banjskës, një gjë që regjimi i Vuçiqit e shmang me çdo kusht”, thekson Voca.

Siç thotë ai, Vuçiç nuk e dorëzon Radoiçiqin jo për mungesë prove, por sepse ai është prova e vetë sistemit që Vuçiq përfaqëson.

“Për Vuçiç-in, dorëzimi i tij do të nënkuptonte: Pranim publik se Serbia ka ndërhyrë ushtarakisht në territorin e Kosovës, duke shkelur të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare. Rrezikim edhe më të thellë të legjitimitetit të vet politik para opinionit të brendshëm serb, i cili është ushqyer me narrativen e “mbrojtjes së serbëve të Kosovës”. Humbje të kontrollit të atyre strukturave paramilitare në veri të Kosovës, të cilat shërbenin si mjet presioni ndaj Kosovës dhe Perëndimit. Dorëzimi i Radoiçiqit do të barazohej me pranimin e përgjegjësisë së shtetit serb për një akt agresioni të dështuar. Kjo do ta ekspozonte Serbinë si destabilizues të rajonit dhe do t’i jepte Kosovës epërsi politike e morale në arenën ndërkombëtare”, shpjegon Voca për “Bota sot”.

“Kjo është arsyeja pse Vuçiq e shmang me çdo kusht, sepse ai e di që njëherë kur bie maska e mohimit, bie edhe mitologjia e Serbisë si “viktimë”, dhe e gjithë strategjia e tij e pushtetit, e ndërtuar mbi nacionalizëm dhe manipulim, fillon të rrënohet”, deklaron profesor Voca.

Ai bën thirrje që të rritet presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë, në mënyrë që kjo e fundit ta dorëzojë Radoiçiqin.

“Prandaj, po, duhet të ketë rritje të dukshme e të pakompromis të presionit ndërkombëtar ndaj Serbisë. Jo vetëm deklarativ, por politik, ekonomik dhe diplomatik. Mosdorëzimi i Radoiçiqit nuk është vetëm çështje juridike, por politike dhe morale. Sa më gjatë që ai mbetet i lirë, aq më shumë Serbia dëshmon se është një shtet që strehon struktura terroriste dhe që minon paqen në rajon”, shprehet Voca.

“Stabiliteti në Ballkan nuk mund të ndërtohet mbi amnisti të heshtura për krimin, por mbi përgjegjësi dhe drejtësi. Në këtë kuptim, qëndrimi i Britanisë së Madhe është një akt guximi diplomatik dhe koherence morale që duhet ndjekur edhe nga shtetet tjera perëndimore, e sidomos nga BE-ja, të cilën unë e shoh si ngurruese për shkak të qëndrimit të saj të gabuar ledhatues ndaj një shteti agresor e hegjemonik siç është Serbia ndër dekada”, përfundon doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.

Prapa Radoiçiqit qëndron Serbia

Ndërsa njohësi i çështjeve të sigurisë, Xhevat Meha, thotë se përderisa Vuçiç është në pushtet, Serbia nuk e dorëzon kriminelin Radoiçiq.

“Këto ditë Mbretëria e Bashkuar ka përsëritur kërkesën për dorëzim të Radoiçiqit nga Serbia. Nuk pres që kjo të ndodhë përderisa Vuçiç të jetë duke udhëhequr me Serbinë. Nuk do të dorëzohet Radoiçiq nga Vuçiçi për arsye se Radoiçiq ka punuar nën direktivat e Vuçiçit. Edhe nëse dikush tjetër vjen në pushtet pas Vuçiçit, vështirë se Serbia e dorëzon Radoiçiqin”, deklaron Meha.

Image

Ai thotë se mbrapa veprimeve të Radoiçiq është vetë shteti serb.

“Qëndrimi politik i Mbretërisë së Bashkuar është i drejtë. Mbretëria e Bashkuar merret me problemin që vërtet ekziston, e ky problem janë veprimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe përgjithësisht në Ballkan. Ky qëndrim politik është ndryshe nga qëndrimi politik i BE-së, e cila i bën lajka Serbisë, ku me këtë edhe i zgjat dorën e ndihmës Serbisë dhe e bën më të fortë”, përfundon njohësi i çështjeve të sigurisë, Xhevat Meha.