Thertoret në Austri po kthehen në vatra koronavirusi

Raste të infektimit me Corona janë shfaqur në tre thertore të mëdha në Austri. Dy prej fabrikave nuk janë larg nga kufiri gjerman. Gjithsej dhjetë punonjës dhe 13 njerëz nga rrethina e tyre kanë rezultuar pozitivë në testimin për patogjenin SARS-CoV-2, konfirmoi ekipi i krizave të shtetit federal të Austrisë së Epërme.

Sipërmarrjet në fjalë ndodhen në qarkun e Ried im Innkreis në jug të kufirit gjerman pranë Bad Füssing-ut, në qarkun e Braunaut përballë qytetit gjerman Simbach am Inn dhe në qarkun e Wels-Land-it – 50 kilometra në juglindje të Ried-it. Testet me punonjësit e tjerë janë duke vazhduar. Kronen-Zeitung raportoi se mbyllja e fabrikave nuk është planifikuar për momentin.

Në sipërmarrjen gjermane të mishit Tönnies në Renani-Veriore-Vestfali, më shumë se 1.400 të punësuar rezultuan pozitivë në testimin në qershor. Incidenti gjithashtu ndezi një debat të madh në lidhje me kushtet e punës dhe të jetesës së punëtorëve të punësuar atje. Përpunuesit e tjerë të mishit më parë kishin pasur shpërthime më të vogla të infektimeve me virusin Corona.

“Jo e drejtë për mish të lirë”

Në Gjermani, thirrjet për ndryshime në industrinë e mishit janë shtuar. Standardet ushqimore në shumicën e sipërmarrjeve janë “shumë të larta”, i tha Ministrja Federale e Bujqësisë Julia Klöckner (CDU) gazetës “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” (FAS). “Por atje punohet në kushte ku llogaritet çdo cent”. Ka shumë nënkontraktues brenda kornizës së kontratave të sipërmarrjes. “Përgjegjësia përcillet.” Nga këndvështrimi i saj, një përgjigje mund të jetë kalimi përsëri në thertore më të vogla.

Rritja e numrit të infektimeve me Corona në thertore të ndryshme “krijoi një dinamikë që inkurajoi ndryshimet strukturore”, tha Klöckner. Për shembull, aktualisht po shqyrtohet shkalla në të cilën mund të kufizohet reklama “oferta tërheqëse për mish”. Klöckner gjithashtu i bëri konsumatorët përgjegjës. Sipas sondazheve shumica thonë se do të paguanin më shumë për mish, përfshirë edhe mirëqenien e kafshëve. “Por arka e supermarketeve dëshmon të kundërtën”, tha ministrja. Vetëm se: “Nuk ekziston një e drejtë për të blerë mish të lirë”.

Ministrja e bujqësisë e Austrisë, Elisabeth Köstinger theksoi: “Kompanitë austriake për përpunimin e mishit nuk mund të krahasohen me ato në Gjermani”. Një therrtore në Austri zakonisht ka vetëm 400 punonjës. Për më tepër, ata janë të punësuar në kushte më të mira të së drejtës sociale.