Pavarësisht kundërshtimeve nga Ukraina dhe Evropa, presidenti amerikan Donald Trump raportohet se nuk ka hequr dorë nga ideja që SHBA-ja t’i njohë si ruse territoret e pushtuara ukrainase, si pjesë e marrëveshjes së paqes. Ky pritet të jetë mesazhi që emisari i tij do ta dorëzojë direkt te presidenti rus Vladimir Putin ditët e ardhshme
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme ta njohin kontrollin e Rusisë mbi Krimenë dhe territore të tjera të pushtuara ukrainase për të siguruar marrëveshjen për t’i dhënë fund luftës.
“The Telegraph” ka raportuar të premten në burime se presidenti amerikan Donald Trump e ka dërguar emisarin e tij të paqes, Steve Witkoff, dhe dhëndrin Jared Kushner, për t’ia bërë ofertën direkte Vladimir Putinit në Moskë.
Plani për t’i njohur territoret, që shkel konventën diplomatike amerikane, pritet të vazhdojë pavarësisht kundërshtimeve nga aleatët evropianë të Ukrainës.
“Është krejtësisht e qartë që amerikanëve nuk ua ndien për pozicionin e evropianëve. Ata thonë se evropianët mund të bëjnë çfarë të duan”, ka thënë një burim i afërt me ngjarjet.
Presidenti i Rusisë të enjten ka thënë se njohja amerikane e Krimesë dhe rajoneve Donetsk e Luhansk si territore ruse do të ishte një nga çështjet kyçe në negociatat mbi planin e paqes të propozuar prej presidentit amerikan.
Kremlini të premten ka bërë të ditur se e ka marrë një strategji të rishikuar për fundin e luftës, të hartuar menjëherë pas bisedimeve emergjente mes zyrtarëve ukrainas e amerikanë në Gjenevë të Zvicrës fundjavën e shkuar.
Plani fillestar 28-pikësh, i formuluar nga Witkoffi pas diskutimeve me zyrtarët rusë, i ka ofruar njohjen “de facto” amerikane të Krimesë dhe dy territoreve lindore të rajonit të Donbasit.
Strategjia po ashtu ka propozuar njohjen “de facto” të territoreve të mbajtura nga Rusia edhe pas vijës së kontaktit në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia të Ukrainës, pas çdo marrëveshjeje armëpushimi.
Në Gjenevë, zyrtarët ukrainas e amerikanë negociuan një plan të ri me 19 pika, që favorizon më pak Moskën. Por sipas shumë burimeve, oferta e amerikanëve për njohje ka mbetur si pjesë e strategjisë.
Kievi nuk do të detyrohet të njohë kontrollin rus mbi territoret që i ka aneksuar ilegalisht që prej 2014-s. Kushtetuta e Ukrainës ndalon presidentin apo qeverinë të dorëzojë territor pa e vendosur çështjen fillimisht në referendum mbarëkombëtar.
Andriy Yermak, shefi i stafit të presidentit ukrainas, dhe Rustem Umerov, këshilltari i tij i sigurisë kombëtare, pritej që të udhëtonin drejt Floridas për t’u takuar me zyrtarë amerikanë në resorin e Trumpit në Mar-a-Lago këtë fundjavë.
Në një intervistë për “The Atlantic”, Yermak që ka negociuar planin e fundit të paqes ka thënë se “asnjë njeri normal nuk do të nënshkruante një dokument për të dorëzuar territor”.
“Për aq gjatë sa Zelensky të jetë president, askush nuk mund të llogarisë që ne do të japim territor. Ai nuk do të nënshkruajë asnjë dorëzim territori. Kushtetuta e ndalon këtë. Askush nuk mund ta bëjë këtë përpos nëse do që të dalë kundër Kushtetutës së Ukrainës dhe popullit ukrainas”, ka thënë ai.
E propozimi i fundit i ka lënë disa hapësira të zbrazëta që të mbushen tek pas diskutimeve ballë për ballë mes presidentëve Zelensky e Trump. Këtu përfshihen çështjet më të diskutueshme, përfshirë ato për lëshime eventuale territoriale.
Presidenti ukrainas ende nuk ka bërë të ditur se kur do të udhëtojë drejt Washingtonit apo Floridës për t’u takuar me homologun e tij amerikan.
Oferta e njohjes amerikane ka nxitur shqetësime tek aleatët evropianë, që në vazhdimësi kanë refuzuar një marrëveshje e cila miraton ndryshimin e kufijve me forcë.
Pas një takimi të koalicionit të të vullnetshmëve të mërkurën liderët e tij kanë thënë se “është parim i qartë që kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë”. “Ky mbetet parim fondamental për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Evropë dhe përtej”, u tha në deklaratën e përbashkët.
Një propozim alternativ evropian i planit origjinal me 28 pika nuk rekomandon asnjë njohje për territoret ukrainase që kontrollohen nga Rusia. “Çështjet territoriale do të diskutohen dhe zgjidhen pas një armëpushimi të plotë dhe të pakusht”, u tha në këtë propozim.
Deri tash, SHBA-ja dhe Evropa kanë refuzuar ta njohin kontrollin e Rusisë mbi Krime, gadishullin të cilin Putini e aneksoi ilegalisht më 2014.
Njohja amerikane do të shënonte ndërprerje të konventës diplomatike nga Washingtoni për të ofruar legjitimitet mbi territorin e vjedhur, në favor të një shteti agresor.
Në një dokument të ri të strategjisë së sigurisë kombëtare të publikuar nga Kremlini, Putini premton të integrojë zona të pushtuara të Ukrainës në sistemin rus brenda një dekade.
Moska pati njoftuar për aneksimin e Donetskut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhzhias në shtator të 2022-s, pavarësisht se nuk i ka pushtuar plotësisht këto territore ukrainase.
Përpjekja e vazhdueshme e Kremlinit për t’i kontrolluar rajonet tregon se Putini nuk ka menduar për lëshime për t’i dhënë fund luftës brutale katërvjeçare në Ukrainë.
Zbulimet e fundit do të rrisin gjithashtu frikën në Evropë se një marrëveshje jooptimale për t’i dhënë fund luftës do t’i imponohet Kievit nga Washingtoni.
Ditët e fundit, telefonatat që u bënë publike treguan se si negociatori kryesor i Trumpit, Witkoffi, kishte udhëzuar zyrtarët rusë se si ta joshin Shtëpinë e Bardhë. Në biseda me negociatorët rusë u përmend edhe çështja e territoreve.
Ekspertë të inteligjencës kanë sugjeruar se një agjenci evropiane mund ta ketë zbuluar informacionin për ta ekspozuar marrëdhënien që po lulëzon mes ndihmësit presidencial amerikan dhe Kremlinit.




