“The Guardian” për protestat në Shqipëri: Zemërimi për Zvërnecin u kthye në lëvizje kundër qeverisë

Prestigjiozja britanike “The Guardian” i ka kushtuar një artikull zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke u ndalur te protestat masive që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe te kundërshtimet për projektet e mëdha turistike në zonat e mbrojtura natyrore.

Në shkrimin e saj, media britanike thekson se shqiptarët janë të zemëruar pasi zhvillimet luksoze multimiliarda dollarëshe kërcënojnë një nga zonat e fundit të egra në vend.

Sipas “The Guardian”, ajo që nisi si një shqetësim mjedisor për mbrojtjen e Zvërnecit, lagunës dhe zonave përreth, është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, të cilën e cilëson si “revolucioni i flamingos”, duke vënë në pikëpyetje edhe drejtimin politik të vendit.

Gazeta shkruan se mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Tiranës për më shumë se një muaj, në protestat më të mëdha në Shqipëri që prej rënies së komunizmit më shumë se tre dekada më parë.

“The Guardian” thekson se zhvillimi i Zvërnecit është bërë i mundur pas një ndryshimi ligjor të vitit 2024, i cili lejon ndërtimin në rezervate natyrore për projekte me pesë yje. Eurodeputetët, sipas artikullit, kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të ndërtimeve në zona të mbrojtura dhe kanë paralajmëruar se projekti i resortit mund të ndikojë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Artikulli përmend gjithashtu projektet e lidhura me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, duke theksuar shqetësimet e qytetarëve për mungesën e transparencës. Qeveria shqiptare, sipas medias britanike, ka deklaruar se marrëveshjet nuk janë finalizuar, por pamjet e mjeteve të rënda në zonat bregdetare kanë nxitur reagime të forta.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se investimet nuk do të ndalen dhe ka argumentuar se biznesi dhe investimet e huaja janë të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Megjithatë, kritikët kërkojnë më shumë transparencë dhe mbrojtjen e zonave natyrore.

Sipas “The Guardian”, pakënaqësia e qytetarëve nuk lidhet vetëm me projektet turistike, por edhe me zhgënjimin ndaj politikës shqiptare në përgjithësi, përfshirë qeverinë Rama dhe opozitën e drejtuar nga Sali Berisha.

Artikulli i plotë nga “The Guardian”

Për më shumë se një muaj, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Tiranës për të protestuar kundër qeverisë së tyre, në shpërthimin më të madh të trazirave në Shqipëri që nga rënia e komunizmit më shumë se tre dekada më parë.

Ajo që nisi me shqetësimet mjedisore për mbrojtjen e një rezervati natyror dhe më shumë se 2,500 specie që ai strehon, është shndërruar në “revolucionin e flamingos”, duke vënë në pikëpyetje edhe drejtimin e vendit.

Shqiptarët janë të zemëruar pasi zhvillimet luksoze multimiliarda dollarëshe të mbështetura nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump kërcënojnë një nga zonat e fundit të egra në Adriatik – Zvërnecin, lagunën e tij dhe ishullin aty pranë, Sazanin – ndërsa shqetësimet janë shtuar edhe për mungesën e transparencës rreth projekteve.

Qeveria shqiptare ka deklaruar se marrëveshjet nuk janë përfunduar. Megjithatë, pamjet e buldozerëve në plazhe kanë nxitur protesta masive.

Tashmë demonstruesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili fitoi një mandat të katërt vitin e kaluar, megjithëse me një pjesëmarrje prej vetëm 45%.

Rama ka deklaruar se “nuk ka absolutisht asnjë shans që investimi të ndalet për sa kohë që unë jam këtu”. Kreu i Partisë Socialiste ka mbështetur investimet e huaja, duke argumentuar se ato janë të domosdoshme që një nga vendet më të varfra të Evropës të zhvillohet.

Megjithatë, shqiptarët mirëpresin investimet, por kjo nuk do të thotë se pranojnë humbjen e zonave të rëndësishme natyrore, veçanërisht kur kushtet e marrëveshjeve nuk janë të qarta.

Rama ka fajësuar edhe ndjenjat anti-Trump për reagimin ndaj projekteve, por “The Guardian” shkruan se lëvizja lidhet më shumë me zhgënjimin ndaj qeverisë së tij dhe ndaj opozitës shqiptare.

Zhvillimi i Zvërnecit është bërë i mundur nga ndryshimi i ligjit në vitin 2024, i cili lejon ndërtime në rezervate natyrore për projekte me pesë yje.

Për shumë qytetarë, kjo është një dëshmi se interesat e njerëzve të zakonshëm po sakrifikohen për përfitimet e një pakice të pasur.

Një protestues shqiptar i cituar nga “The Guardian” është shprehur se pas më shumë se 30 vitesh qytetarët ende përballen me probleme në shëndetësi, arsim, punësim dhe emigracion, ndërsa projektet e mëdha, sipas tij, kanë përfituar vetëm disa njerëz.

Shqiptarët po kërkojnë një model tjetër zhvillimi. Sipas “The Guardian”, protestat kanë ngjashmëri me lëvizjet qytetare në Serbi kundër klientelizmit dhe mungesës së llogaridhënies.

Në mënyrë të veçantë, artikulli vë në dukje rikthimin e disa të rinjve dhe profesionistëve nga emigracioni për t’iu bashkuar protestave, duke kërkuar të ndikojnë në të ardhmen e vendit të tyre.

Eurodeputetët kanë bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të ndërtimeve në zona të brishta dhe kanë paralajmëruar se projekti i resortit mund të rrezikojë planet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas “The Guardian”, kjo çështje nuk është vetëm një betejë për mbrojtjen e natyrës, por një debat më i gjerë mbi drejtimin që duhet të marrë Shqipëria: një zhvillim afatshkurtër që përfiton pak njerëz apo një model më i qëndrueshëm dhe transparent.