Shkruan: Medai Shaholli
Dje Lidhja Europiane për Ndryshim, lajmëroi opinionin e gjerë se nga sot e tutje ata do të përfaqësohen në Kuvendin Republikan të ‘Severnës’ si një grup i përbashkët parlamentar i opozitës shqiptare.
Tre liderët e LEN-it, Bili vockël, Afrimllari dhe Mexho rebeli, kanë arritur ta formojnë një grup parlamentar në Kuvend ‘për t’i dalë në ballë të keqes që ka kapluar qeverisja e vendit’ siç thonë ata, nga koalicioni i qelbësirave të SDSM-së, DUI-t dhe ASH-së.
Ajo që ra në sy në këtë paraqitje publike të LEN-it në Parlamentin e ‘Severnës’ ishte prania dhe kthimi i besëprerit ‘Hamza Kastriotit’, në radhët e këtij grupi parlamentar pasi kishte hedhur një mal me akuza kundër shefit të tij Bili i vockël, si lider që ngulfati demokracinë brenda lëvizjes së re xhonturke Besa.
Këthimi i ‘Hamza Kastriotit’ në radhët e koalicionit opozitar shqiptar në grupimin LEN, paraqet në këtë rast tipin labil që hyn e del nga një subjekt politik sipas tekave të çastit dhe jo për parime dhe qëndrime të idealit dhe të bindjes politike që duket se ai nuk ka.
Çfarë mund të presin shqiptarët e ‘Severnës’ nga ky grupim i ri pas zgjedhjeve të radhës që do të mbahen në pranverën e ardhëshme, kur ata kanë deklaruar se bashkë me ta do të vij ndryshimi?
Për cilin ndryshim e ka fjalën opozita shqiptare e grupimit LEN, që ‘ndyshimin’ e sheh në koalicionin e ardhshëm qeveritar bashkë me komitët e Mickos, të cilët gjithashtu si SDSM-ja nuk janë të gatshëm ta fshijnë nga kushtetuta nofkën e turpit shqiptar siç është 20%?
Ahere a ka bazë të shëndoshë kërkesa dhe zotimi i zhbërjes së 20% nga evgjiti i Çairit apo Bili i vockël i Llërcës se, kur do të vijnë në ata pushtet heqja e nofkës denigruese ndaj gjuhës shqipe do të bëhet realitet!
Mbi këtë çështje vështirë t’u besohet si njërit ashtu edhe tjetrit sepse koalicioni me një subjekt politik siç është VMRO-ja nacionaliste, nuk ka asnjë shans për ta bërë ndryshimin që LEN-i shpreson se do ta bëjë në qeverinë e re të koalicionit.
Heqja e 20% nga kushtetuta tashmë është një kartë e djegur në duart e Mexhitit, pasi ai për dy dekada nuk e ngriti kurrë zërin e arsyes për ta fshirë nga kushtetuta nofkën e turpit shqiptar, por ndenji në taborin e integristëve si ushtar i përbetuar. Dhe vjen një ditë kur klani Artan pehlivanit si më i fuqishmi në parti e nxorri jashtë loje evgjitin e Çairit, atëherë ju kujtua Mexhos se shqiptarët qënkëshin të denigruar me nofkën e 20% dhe jo më parë.
Nga ana tjetër edhe Bili i vockël që në janar të vitit 2019 deklaronte me shumë krenari se nuk do t’i votonte ndryshimet kushtetuese, por që ditën e fundit e shkeli besën dhe votoi për ta ruajtur 20% në kushtetutë si ‘peshqesh’ i subjekteve politike shqiptare.
Ndaj, ndryshimin nuk mund ta sjellin ata që kanë dalë nga lista ‘Mozheme’ e Zajkos apo nga aleanca e qelbësirave që ndryshojnë qëndrimet saherë që u ofrohen postet qeveritare.
Të thuash se ne do ta sjellim ndryshimin duket krejtësisht e pabesueshme pasi ke fjetur njëherë ‘në shtrat me armikun’ nuk të beson më as fëmija e lëre më një elektorat i tërë shqiptar që i ka ardhur në majë të hundës me premtime boshe nga të gjitha subjektet politike.
Të kërkosh ndryshimin duke zëvendësuar qelbësirat e pushtetit me një palë qelbësirash të tjera të provuara tashmë, nuk është ndryshim, por është vetëm zëvendësim i kurvicave politike të pushtetit në bordelon qeveritare.
Shqiptarët nuk mund të presin ndryshimin nga besëprerët dhe labilët, qylaxhinjtë dhe demagogët, që së paku për dy dekada i kanë gënjyer dhe stërgënjyer shqiptarët me premtime pa mbulesë mbi barazinë e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare të saj në ‘drzhavën Severna’ dhe broçkulla të tjera të barazisë së shqiptarëve me sllavo-maqedonët.
Shqiptarët kanë mundësi ta sjellin ndryshimin duke patur mënjanë të paangazhuar shumë burra dhe gra të pakompromituar më parë dhe të pavarur nga subjektet politike, por jo me këta që kanë ngelur ‘njëherë me barrë me pushtetin’ dhe që më pas na paraqiten si virgjëresha të ndershme!