Thaçi: VLEN po fiton, AKI është pa shpresë

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, në një intervistë për gazetën “Lajm” ka folur hapur për zhvillimet brenda ish-koalicionit Fronti Evropian, si dhe për pozicionin aktual të partisë së tij dhe të koalicionit qeverisës VLEN.

Thaçi deklaroi se gjatë kohës që ishte pjesë e Frontit Evropian me BDI-në dhe Ali Ahmetin, ai e ka përmbushur plotësisht detyrën e tij politike, ndërsa tani beson se VLEN do të dalë fitues në zgjedhjet lokale.

“Në kohën kur u vendos që VLEN të shkojë në qeveri, kam dhënë kontributin tim duke i paralajmëruar që të mos bëjnë kërcënime pa bazë. Nuk është më viti 2001, dhe pasojat mund të jenë fatale. Fjalori im ka qenë lutës,” ka theksuar Thaçi.

Lideri i PDSH-së u shpreh se deklaratat e Ali Ahmetit nuk duhet të shqetësojnë qeverinë apo kryeministrin Mickoski, pasi – siç tha ai – “Ahmeti është politikisht i humbur dhe pa shpresë”.

“Qëllimi i shqiptarëve është që Maqedonia të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Kjo është rruga e vetme drejt stabilitetit dhe zhvillimit,” shtoi Thaçi.


“Rasti i Kumanovës është kurth politik”

Thaçi foli edhe për rastin e Kumanovës, duke e cilësuar atë si një kurth të qëllimshëm dhe duke kërkuar që autorët e vërtetë të përballen me drejtësinë.

“Rasti i Kumanovës është një kurth. Njerëzit që i kanë futur në atë kurth duhet të japin llogari. Nuk jam as prokuror e as gjykatës, por analizat politike e nxjerrin qartë mozaikun. Nuk mund të ndodhë që në mes të verës të bie borë,” u shpreh ai.

Në fund, Thaçi theksoi se koalicioni VLEN po dëshmon se ndryshimi është i mundur, ndërsa opozita e udhëhequr nga BDI po përballet me humbjen e mbështetjes në terren.