Thaçi: Rruga e PDSH-së tani e tutje do të jetë opozitare!

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, në një intervistë për “Lajm TV” dhe gazetën “Lajm”, ka mohuar se PDSH-ja do të bëhet pjesë e Qeverisë, duke theksuar se rruga e kësaj partie tani e tutje do të jetë opozitare. Ai shtoi se partia e tij do t’i ruaj linjat e komunikim konstruktiv me Qeverinë, për ta mbështetur atë në momente të caktuara.

“Rruga e PDSH-së është rrugë opozitare, domethënë prej këtij momenti është rrugë opozitare, gjithmonë duke ruajtur linjën e komunikimit konstruktiv me Qeverinë. Kur kam folur atë ditë, nuk kam folur për kryeministrin, por edhe për VLEN-in. Ne jemi të gatshëm të bisedojmë dhe, në momente të caktuara, ta mbështesim VLEN-in në kërkesat e tyre”, deklaroi Menduh Thaçi.

Kreu i PDSH-së tha se partia po merr rikuperimin e saj dhe nuk përjashton mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme të konkurrojë me VLEN-in për mandatin e pjesëmarrjes në qeverisje.

“Rruga jonë opozitare e PDSH-së nënkupton rikuperimin e shpejtë të partisë sonë, e cila ka qenë për një kohë të gjatë e dëmtuar, dhe më pas, kur të jemi gati, do të konkurrojmë në zgjedhjet e ardhshme, mendoj unë me VLEN-in, për të parë se cili do të marrë mandatin për të qenë pjesë e qeverisjes”, shtoi zoti Thaçi.