Thaçi: Qytetet e mëdha, minë me sahat që mund të shpërthejnë nga infektimet me Koronavirus (VIDEO)

Sot, kryetari i PDSH-së mbajti konferencë për shtyp në të cilën diskutoi mbi ndodhitë e fundit në vend si pasojë e situatës së krijuar nga Kovid-19.

Ne mundohemi të bëjmë punën tonë, t’i orientojmë qytetarët por normalisht të japim edhe propozime. E shfrytëzoj këtë rast që t’u shpreh ngushëllime të gjitha familjeve që kanë humbur njerëzit e dashur nga kjo sëmundje apo kjo luftë e njerëzimit me një armik të rrezikshëm, dhe në të njëjtën kohë dua që edhe një herë t’u kërkoj qytetarëve t’i respektojnë me korrektësi maksimale masat e kufizimit të lëvizjes.

Çështja e tretë, besoj se do të ishte mirë që qeveria të merr parasysh që njerëzit të cilët vdesin prej kësaj sëmundje mos t’i mbajë të fshehur sepse nuk ka nevojë, edhe pse e di se do të thonë se është rekomandim i OBSH-së, por mua si mjek më duket se nuk është etike, duhet të jepen emrat e njerëzve të cilët kanë ndërruar jetë dhe të cilët janë të sëmurë. Këtu s’ka vend për asnjë turp, ata janë njerëz, pjesëtarë të shoqërisë tonë, të familjeve tona, ata që ndërrojnë jetë respektojmë nderimin e fundit me emër, mbiemër, edhe nga familjarët edhe nga të dashurit e tyre por edhe nga ne që nuk i njohim.

Këto që i tha doktor Arbeni, janë kërkesa që ne i kemi nxjerrë gati një muaj e më tepër në opinion, dhe fatkeqësisht nuk kemi asnjë përmirësim në këtë drejtim. Ne si PDSH kemi shqetësim shumë të madh që qytetet e mëdha si Tetova, Gostivari por edhe të tjerat janë një minë me sahat që mund të shpërthejë, të ritet numri i të infektuarve me Korona dhe t’i kapë sëmundja me Kovid-19. Për këtë arsye insistojmë me forcë që të merret me seriozitet.

Kjo ka të bëjë shumë me partinë shqiptare që është pushtet-mbajtësja 20 vjeçare që po tregon pakujdesi të jashtëzakonshme, që nuk ka dertin e njerëzve të cilët i përfaqëson, dhe më vjen keq, nuk dua as ai vet të më keqkuptojë, por mendoj se është koha që Ali Ahmeti, pushtet-mbajtësi kryesor të del prej – se di ku është, nuk e dinë edhe shqiptarët ku është, jam i vetëdijshëm se kjo situatë ka rrezik, edhe për ju gazetarët që bëni punën tuaj, edhe për ata të cilët i pastrojnë qytetet, edhe për mjekët që janë në vijën e parë, edhe për policët, por kjo që pushtet mbajtësi kryesor i shqiptarëve të Maqedonisë nuk e shohim më shumë se një muaj e gjysmë, flet për një kolaps total të institucioneve të shtetit në zonat e banuara nga shqiptarët që drejtohen nga kuadrot e Ali Ahmetit.

E fundit që dua ta paraqes si kërkesë të partisë tonë, normalisht edhe nëpërmjet ministrit do ta paraqesim edhe në mbledhjen e qeverisë është që qeveria të shqyrtojë edhe një herë orarin e kufizimit të lëvizjeve, me rastin e ardhjes së muajit të Ramazanit, ku shqiptarët dhe myslimanët kanë një ritëm tjetër të jetës, ne propozojmë që ora policore të zhvendoset jo prej ora 5:00 në mëngjes, por prej ora 7:00 në mëngjes deri ora 19:00 në mbrëmje, pak para iftarit, për shkak se njerëzit që agjërojnë 18 orë e më shumë, meritojnë ushqim të ngrohtë, meritojnë edhe bukë të ngrohtë, kuptohet duke u bërë apel qytetarëve që të respektojnë masat e kufizimit apo masat e distancës. Këtë edhe zyrtarisht do ta bëjmë si propozim.