Thaçi për koalicionin: Ambasadorët nuk janë këtu që të bëjnë presion për çështje të brendshme

Presidenti Hashim Thaçi, është takuar për një darkë pune sot me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara, për dialogun Kosovë- Serbi.

Thaçi e Grenell u deklaruan për media para darkës edhe për koalicionin qeverisës.

Duke folur për nominim e kandidatit të LVV-së për kryeministër, Thaçi tha se tash u mbetet partive të punojnë për arritjen e marrëveshjes.

I pyetur se a ka ardhur Grenell në Kosovë për koalicionin qeveritar, Thaçi tha se ai nuk ardhur në Kosovë për çështje të brendshme. Duke shtuar se asnjë prej ambasadorëve nuk është këtu që të bëjnë presion në çështjet e brendshme lokale të Kosovës.

“Unë kam nominuar kandidatin për kryeministër. Tash i mbetet partive të punojnë dhe atij të gjejë partner për të krijuar shumicën q të votohet në Kuvend. Grenelli është i ngarkuari special për normalizimin e raporteve me Serbinë, nuk është për çështje lokale e të brendshme politike këtu, siç nuk është asnjë prej ambasadorëve që të bëjnë presion në çështjet e brendshme lokale. Ne do të diskutojmë për dialogun dhe çështjet jetike të Kosovës. Është jashtë agjendave lokale e elektorale kjo vizitë. Nën lidershipin e presidentit Trump, do t’ia arrijmë”, tha Thaçi.