Thaçi: PDSH nuk do ti mbështesë protestat studentore, përmend Shqipërinë, BDI-në dhe Ambasadorin e Shqipërisë (VIDEO)

Kreu i PDSH, Menduh Thaçi, ka reaguar ashpër ndaj protestave të studentëve për mungesën e mundësisë për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke i cilësuar ato si manipulim politik.

Thaçi deklaroi se, megjithëse studentët mund të kenë të drejtë dhe mund të përkrahen, mënyra e organizimit të këtyre protestave përbën, sipas tij, “formën më perfide të legjitimimit të dështimeve” të BDI.

Ai shtoi se kjo qasje është mashtrim ndaj opinionit publik shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke e krahasuar situatën me periudha të vjetra kur shqiptarët kërkonin të drejta minimale.

Sipas Thaçit, është e papranueshme që në shekullin XXI të kërkohet ende zhvillimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se partia e tij nuk mbështet qasje të tilla.

Ai gjithashtu ngriti dyshime për përfshirje të faktorëve të ndryshëm politikë, por theksoi se qëndrimi i tij bazohet në përvojën politike personale.