Thaçi: Në Davos do të flasë për synimet e Republikës së Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po merr pjesë në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë postimin e parë nga Davosi i Zvicrës, ku po merr pjesë në Forumin Botëror Ekonomik.

Thaçi përmes rrjetit social Facebook, ka bërë të ditur se në këtë forum do të flasë për synimet e Kosovës, shkruan lajmi.net

“Në Davos të Zvicrës, pak para nisjes së diskutimeve për dialogun diplomatik për Ballkanin Perëndimor. Në Forumin Botëror Ekonomik të Davosit do të shprehë edhe një herë synimet e Republikës së Kosovës për një stabilitet të qëndrueshëm ekonomik, për një perspektivë të qartë të integrimeve evropiane dhe për një fqinjësi të mirë në mes të të gjitha vendeve të rajonit tonë”, ka shkruar Thaçi.

Thaçi do jetë pjesëmarrës në panelin “Dialogu Diplomatik për Ballkanin Perëndimor” dhe gjatë ditës do të ketë takime bilaterale edhe me liderë të ndryshëm shtetesh që po marrin pjesë në këtë forum.

Presidenti Hashim Thaçi do të jetë i pranishëm edhe në adresimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, drejtuar liderëve të të gjitha vendeve pjesëmarrëse.