Thaçi marrëveshjen me Serbinë për hekurudhat e konsideron mesazh paqeje

Në Munih të Gjermanisë sot është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për hekurudhën dhe autostradën që lidh dy shtetet.

Përmes kësaj marrëveshje Kosova dhe Serbia shfaqin gatishmërinë për rihapjen e rrugëve që janë pjesë e korridoreve hekurudhore dhe rrugore si dhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy kryeqytetet me njëra-tjetrën, ashtu si edhe me Evropën.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje u bë në prani të ambasadorit amerikan, Richard Grenell dhe presidentëve të dy shteteve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq.

Në ceremoninë e nënshkrimit ka marrë pjesë edhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë Philip Kosnett dhe drejtori i së ashtuquajturës Zyrë Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.

Kjo marrëveshje është arritur me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell që njëherësh është edhe emisari special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi.

Ambasadori Grenell me këtë rast ka përkujtuar se Kosova dhe Serbia tashmë kanë të nënshkruara edhe dy marrëveshje të tjera. Ai tregoi se me dy presidentët, atë të Kosovës dhe Serbisë ka diskutuar për përpjekje më të mëdha drejt zhvillimit ekonomik, për çka tha se ka pasur një dakordim.

“Ajo që kemi bërë këtu sot është negocimi i një mënyre për t’i hapur hekurudhat dhe autostradat pasi të gjithë e dimë se kemi negociuar edhe për fluturime direkte të linjës ajrore ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kështu që tani kemi edhe dy marrëveshje të tjera, unë kam biseduar me presidentët për t’u përpjekur sa më shumë që të jetë e mundur të përqendrohen në zhvillimin ekonomik, vendet e punës për të ardhmen dhe më duhet të them që nga fillimi të dy presidentët kanë rënë dakord që ky është fokusi se si të ecim përpara në zhvillimin ekonomik, kështu që unë jam mirënjohës që kemi arritur në këtë pike”, theksoi ai Grenell.

Po ashtu, emisari i Trump tha se përmes këtyre marrëveshjeve dëshirojnë të sjellin energji në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë në aspektin ekonomik duke mos shikuar atë politik.

“Unë mendoj se është vërtet e rëndësishme që ta dini se kur presidenti Trump më kërkoi të përfshihem në këtë çështje, ai është gjithmonë dikush që është shumë krenar për ekonominë amerikane, ndjehet sikur ekonomia e suksesshme amerikane ka ndryshuar shumë dinamikën kur iu ofroni njerëzve vende pune dhe u jepni shpresë për një të ardhme, me të vërtetë ndryshon llogaritja dhe gjithçka që donim të bënim ishte të sjellim energji dhe entuziaz ëm në këtë dialog prej aspekti për të mos shikuar mbi çështje politike, por se si krijojmë një zonë ekonomike që do të përfitojnë njerëzit”, u shpreh ai.

Këtë marrëveshje e ka mirëpritur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili tha se gjatë këtij viti mund të arrihet marrëveshje përfundimtare paqësore me Serbinë.

“Është një hap tjetër i arritjes së marrëveshjes së sotme të progresit pas asaj të linjës ajror Prishtinë-Beograd. Marrëveshja e sotme e hekurudhave autostradave është mesazhi më i mirë që rajoni do të ketë më shumë paqe, zhvillim ekonomik, progres, vende të punës që u duhet njerëzve tanë në Kosovë, Serbi dhe Ballkanin Perëndimor. Kosova beson në lidershipin e presidentit Trump dhe gjithë administratës së tij dhe rolin e ambasadorit Grenell që gjatë kësaj periudhe, gjatë këtij viti mund të ar rihet edhe marrëveshja përfundimtare paqësore Kosovë-Serbi. Kjo është rruga për të cilën duhet të ecim përpara dhe mos të mbesim pengë i të kaluarës së hidhur të popujve tanë”, tha ai.

Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u shpreh optimist se marrëveshja e sotme do të sigurojë paqe për rajonin.

“Para se gjithash, jam falënderues për presidentin Trump dhe emisarin Grenell që kanë treguar interesim të madh për rajonin. Kjo është diçka që nuk është e ndërlidhur me politikën dhe ka të bëjë, para se gjithash, me lirinë e lëvizjes, mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzit. Nuk ishte lehtë të diskutosh me Prishtinën, por jam i lumtur që sot shoh përparim dhe edhe njëherë falënderoj Grenell dhe presidentin Trump për këto iniciativa, të cilat paraqesin rrugën e vetme për Serbinë dhe të gjithë ne do të ndihemi më mirë në të ardhmen dhe do të kemi mundësi që të stabilizojmë rajonin dhe të sigurojmë paqe për dekadat e ardhshme”, tha Vuçiq.

Kujtojmë që në muajin janar, Kosova dhe Serbia nënshkruan edhe marrë për hapjen e linjës ajrore mes Prishtinës dhe Beogradit.