Thaçi: Kush thotë se jam bërë sabotues i Gjykatës Speciale është i keqinformuar dhe tendencioz

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se ka qenë ai që ka mbështetur themelimin e gjykatave ndërkombëtare.

“Ky parim mbetet i njëjtë edhe sot kur unë Hashim Thaçi personalisht që do të mund të përballem me një gjykatë që kam dhënë mbështetjen time politike me fjalë dhe votë”, ka thënë Thaçi, njofton Klan Kosova.

“Në atë kohë kishim përballë dy rrugë; ecjes përpara në aleanca të ngushtë me SHBA-në dhe Be-në dhe që kjo çështje t’i lihet në dorë Këshillit të Sigurimit që kanë ndikim vendet që kundërshtojnë pavarësinë. Vendimi im ishte strategjik në përputhje me vizionin e Kosovës”.

“Sot kush thotë se jam bërë sabotues i kësaj gjykate është keqinformuar dhe është tendencioz”, është shprehur Thaçi.

Thaçi në adresimin e tij ka thënë se dikush duhet të bëjë bilancin për krimet e kryera në Kosovë nga Serbia.

“Do të isha njeriu më i lumtur nëse do të shihja se bashkësia ndërkombëtare aplikon standarde të njëjta mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk e shoh këtë standard por të kundërtën e tij. Serbia ecën në rrugën për anëtarësim ndërsa Kosova nuk e gëzon të drejtën për lëvizje”.