Thaçi-Kurti, marrëveshje për takim të sërishëm

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Albin Kurti kanë zhvilluar takimin e parë të punës, që kur Kuvendi ka zgjedhur qeverinë e re, më 3 shkurt të këtij viti. Të dy liderët e institucioneve të Kosovës thanë se janë marrë vesh që t’i vazhdojnë takimet në kuadër të harmonizimit të qëndrimeve dhe pozicionit të Kosovës në politikën e jashtme, me theks të veçantë në dialogun me Serbinë. Thaçi tha se pret që qeveria të merr vendime të shpejta dhe të qarta për t’i hapur rrugë angazhimit të përbashkët në dialogun Kosovë – Serbi. Ndërkohë, kryeministri Kurti tha se me presidentin Thaçi kanë diskutuar shumë tema, por përveç dakordimit që t’i vazhdojnë bisedimet, ende nuk ka ndonjë harmonizim qëndrimesh për ndonjë çështje të caktuar. Komuniteti ndërkombëtar është duke bërë presion mbi Kosovën që të vazhdojë dialogun me Serbinë. Por, paraprakisht nga Prishtina zyrtare është kërkuar që të shfuqizojë tarifën doganore ndaj mallrave serbe, të cilën e kishte vendosur Qeveria e kaluar e Kosovës, në nëntor të vitit 2018, dhe e cila po shihet si pengesë për vazhdimin e bisedimeve paqësore. Presidenti Thaçi ka kërkuar që qeveria urgjentisht të heqë taksën, por kryeministri Kurti ka paraqitur një plan të heqjes graduale të saj.