Thaçi kundër vendimit të Albin Kurtit që kamionët nga Serbia të kenë dokumente me “Republika e Kosovës”

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka reaguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit për masat e reja të reciprocitetit të vendosura ndaj Serbisë në mbledhjen e së shtunës nga Qeveria e Kosovës.

Thaçi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se me këtë vendim Kurti ka bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, Kurti, po rrezikon gjithçka që është arritur me SHBA-të dhe BE-në për dy dekada.

“Në përpëlitjet e fundit para se të largohet nga zyra, Kurti po i vazhdon mashtrimet patriotike me vendime strategjikisht të gabueshme. Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada”, ka shkruar Thaçi.

Duke komentuar këtë vendim, Thaçi ka pohuar se çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe i së ardhmës.

“Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera presidenti Thaçi.

Për vendimin e Kurtit, sot ka reaguar edhe Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak i cili ka kundërshtuar këtë vendim dhe ka kërkuar heqjen e këtyre masave./Insajderi.org