Thaçi i referoi partisë: PDSh bashkë me partnerët zmbrapsi planet ogurzeza

Kryesia Qendrore e PDSH-së në përbërje të zgjeruar me kryetarët e degëve mbajti mbledhje ku u diskutua për situatën aktuale politike për të cilën referoi kryetari i partisë, Menduh Thaçi.

“Roli konstruktiv i PDSH-së në tejkalimin e situatës e cila u krijua si pasojë e destruktivitetit me qëllim të shkaktimit të destabilizimit politik ishte vendimtar në rruajtjen e kursit euro-atlantik të vendit”, ka thënë Thaçi, qëndron në kumtesën partiake.

Ka folur edhe për opozitën.

Ka vlerësuar se PDSH bashkë me partnerët e koalicionit arriti të zmbraps planet ogurzeza – rrëzimin e Qeverisë dhe rirreshtimin strategjik anti-evropian dhe anti-NATO.

“Kjo qasje e opozitës që për qëllim kishte jo vetëm rrëzimin e qeverisë por edhe rirreshtimin strategjik anti-evropian dhe anti-NATO që është në kundërshtim me interesat kombëtare të shqiptarëve jo vetëm këtu por edhe më gjerë në rajon. PDSH bashkë me partnerët e brendshëm dhe të jashtëm arritën t’i zmbrapsin këto plane ogurzeze, që për fat të keq bartësit e këtij projekti ishin partitë opozitare shqiptare të cilat pësuan fiasko në zgjedhjet e fundit. Kryesia Qendrore e PDSH-së autorizoi kryetarin e partisë që të vazhdojë bisedimet dhe kontaktet e mëtejme me qëllim stabilizimin e situatës dhe vazhdimin e kursit euro-atlantik të kësaj qeverie”, thuhet në kumtesën e PDSh-së, transmeton TV21.