Thaçi i bëri “gropën” UÇK-së me Gjykatën Speciale, ndërsa Serbinë nuk pranon ta padisë për gjenocid

Shkruan Kimete Berisha

Më vjen keq, nuk më vjen keq.

Para se të shkonin në luftë (sipas karikaturës së Bob Satterfield), Perandoria Ruse dhe Perandoria Japoneze e luajtën lojën me origjinë franceze ‘A të shkojmë në luftë, a jo’. E dini atë lojën: e merr një petale të lules daisy (pipili që i themi ne) dhe fillon lojën me frazën që të intereson. Ne zakonisht e kemi pyetur lulen për dashni: ‘A më do, a s’më do’, dhe petalja e fundit që këputet ta tregon të vërtetën. Por, lulen mund ta pyesësh për çkado.
E unë, jam në mëdyshje.

Nuk e di a duhet të më vijë keq, apo duhet të mos më vijë keq për arrestimet e Gjykatës Speciale. Paradite më vjen keq, pasdite nuk më vjen keq. Kur e kam parë NH duke e refuzuar policinë e huaj dhe duke insistuar që të arrestohet ‘shqip’ vetëm nga policia e Kosovës, dhe policët shqiptarë duke e marrë me të mirë, duke ia rrahur krahun e duke u munduar ta qetësojnë-më janë mbushur sytë me lot. Pra, më ka ardhur shumë keq pse ka ardhur puna deri këtu.

Nuk më vjen keq aspak për ‘ta’, sepse Gjykatën Speciale e kanë krijuar vetë, me veprimet e tyre. Qe 20-të vjet nëpër studio televizive, për shembull, Xhavit Haliti flet për vrasjen e Ilir Konushevcit dhe asnjë prokuror i vendit nuk merret me të. Nga foltorja e Kuvendit flasin për vrasje e atentate të veprimtarëve të LDK-së, pa asnjë përgjegjësi, si për ‘borën e parvjetme’, e Aleksandër Lumezi sillet shetitoreve me bermude.

Më vjen shumë keq për UÇK-në, sepse ‘përndiqet’ edhe 21 vjet prej se nuk ekziston. Mbi dy dekada, PDK janë pasuruar dhe e kanë grabitur pushtetin dhe pasurinë e Kosovës në emër të luftës së UÇK-së, që e demilitarizuan dhe nuk ekziston prej vitit 1999. UÇK-në, pasi e kanë demilitarizuar, për të vjedhur në emër të saj, e kanë mbipopulluar, e kanë bërë të madhe sa një qytet. 60 mijë veta marrin para nga shteti, shumica prej tyre pa luftuar asnjë sekondë.

UÇK nuk ekziston. Si mund të gjykohet ushtria që nuk ekziston! Nuk mundet! Gjykohen individët, që është normale si në krejt botën. Ushtri të shenjtë nuk mund të ketë.

Nuk më vjen keq për ta, sepse Ata që sot flasin në emër të veteranëve të UÇK-së, i kanë fjalët e rënda dhe tejet të pamatura. Ata që flasin në emrin e UÇK-së është dashur të jenë të mençur dhe të matur, jo siç janë nevrik dhe euforik. Ai që flet në emër të luftës, duhet të jetë hijerëndë dhe i respektuar, e jo vulgar që e shan policin me nanë. Qysh nuk e kanë ditur kaq pak punë se nuk lexohen dosjet sekrete publikisht!

Është e dhimbshme që kaq pak punë nuk e kanë ditur. Nëse kanë kujtuar se Gjykata Speciale zhbëhet duke e degraduar, duke ia humbur seriozitetin dhe kredibilitetin, kanë gabuar.

Më vjen jashtëzakonisht keq pse PDK nuk e inicoi një padi të vetme kundër Serbisë për gjenocid, për masakra dhe vrasje të fëmijëve shqiptarë. Albin Kurti bashkë me Isa Mustafën e kishin në plan qeverisës ta padisnin Serbinë për gjenocid, por nuk i lejoi Hashim Thaçi. Partia e Isa Mustafës ka vuajtur shumë, ka duruar, ka qenë e matur dhe asnjëherë nuk ka bërë me gisht kah ‘fajtori’ për vrasjen e dhjetëra veprimtarëve të saj. Kurse Albin Kurti gjithmonë ka qenë me UÇK-në. Prandaj, Sami Lushtaku le ta pyes Hashim Thaçin pse ‘ua bëri gropën’ Speciale, e jo Albin Kurtin, sepse VV ishte dhe votoi kundër Gjykatës Speciale. Mos gjeneral Samiu, bile ti mos e mashtro veten.

Presidenti Hashim Thaçi, pranon që edhe vetë të sakrifikohet e të përfundojë në hapsane, por nuk pranon të paditet Serbia për gjenocid.. ashtu siç nuk e ka mbajtur fjalën e dhënë se do ta padis Dick Martyn për shpifje lidhur me ‘Shtëpinë e verdhë’. Në zorin më të madh në jetë, si tinejxh’ merret me Glaukun, mundohet me prishë me Albinin, hej, kaq poshtë i ka ra katundi….e nuk e sheh veten në lloç deri në fyt.

Nuk më vjen keq, sepse Gjykata Speciale është e Kosovës, e votuar nga vetë të akuzuarit. Ky është paradoksi më i madh historik, që të dyshuarit për krime, t’ia ‘marojnë burgun vetes’. Këtë e bëjnë ose ata që ndjehen të pafajshëm, ose ata që mendojnë se ‘gjeneralit s’ka më kush t’i shkruaj’.

Më vjen keq, shumë keq, sepse shqiptarët po dyshohen për vrasje të shqiptarëve. Është e dhimbshme se si gati askujt nuk i intereson më se për çka përfundojnë në burg ‘këta’, por u intereson që këta gjithsesi të përfundojnë në burg e të largohen nga pushteti, qenë-s’qenë fajtorë. Arsyeja pse këta largohen, s’është me rëndësi, kryesore të largohen. Janë të motivuar t’i urrejnë, sepse në emër të luftës dhe të të vdekurve janë pasuruar, e popullin e kanë varfëruar.

Nuk më vjen keq, sepse në ditën që u arrestua NH, gratë e komandantëve reklamonin torte në Instagram, bile njëra prej tyre reklamonte dhe festonte flokët artificiale që i kishte zgjatur. Kush kish thënë që vjen dita të harrohet koha e luftës kur janë mbushur morra e janë detyruar t’i prejnë flokët me thikë. Pra, pse të mërzitemi ne, kur ata vetë s’po mërziten për vete.

Më vjen keq, sepse për herë të parë janë të vetmuar dhe të braktisur. Ata nuk kanë vullnet më të protestojnë as për vetveten. Kurrë s’kanë qenë më kallaballak, por kurrë më të ndarë.

Nuk më vjen keq. Ata që qajnë për ta, qajnë vetëm me foton e parë në Instastory, menjëherë pas kësaj ‘vuajtje’, e shpalosin lumturinë e luksin e tyre në foto kollazhe. Më vjen shumë keq, është tragjike që Kosova të përmendet për krime lufte, e të harrohet se ishte viktimë. Por Ne jemi lodhur shumë nga luftërat e gjata. Na duhet patjetër një FAJTOR për dëshpërimin tonë.

Nuk e dimë më a na vjen keq. Po ndjehemi keq që s’po na vjen keq. Po ndjehemi fajtor pse s’po na vjen keq. Mua më vjen shumë keq! Mua aspak nuk më vjen keq.

P.S. Deri në petalen e fundit.