Thaçi e quan sërish “uzurpator” Kurtin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar sot Odën Ekonomike të Kosovës, nga ku është njoftuar për shqetësimet e afaristëve që kanë të bëjnë me rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë.

Thaçi para mediave ka kritikuar qeverinë Kurti për joseriozitet në trajtimin me prioritet të masave për rimëkëmbjen ekonomike.

“Është jetike që të nxirret një pako në përputhshmëri me nevojat e bizneseve, në mënyrë që të kemi një rikthim të ekonomisë. Flas në një angazhim të përbashkët të spektrit politik, në mënyrë që të kemi një sukses në rimëkëmbjen ekonomike. Fatkeqësisht deri tani kemi pasur një qasje jo-serioze nga ana e qeverisë sa i përket rimëkëmbjes ekonomike. Unë dua të shpresoj dhe besoj që bashkërisht mund t’ia dalim me një politikë të re, dhe gjithëpërfshirëse”, ka thënë presidenti kosovar, Hashim THaçi.
Thaçi foli edhe për deklaratën e tij të djeshme, ku e quajti “uzurpator” kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Kësaj deklarate, Thaçi tha se nuk ka çka t’i shtojë dhe se sipas tij dy shkeljet e Kushtetutës nga Kurti si dhe rrëzimi i tij në Kuvend e bën atë uzurpator.

“Unë nuk kam çka ti shtoj më tepër asaj që kam deklaruar dje. Ne kemi pasur një realitet që zoti Kurti ka zhvilluar negociata rreth pesë muaj për themelimin e qeverisë. Të gjithë janë dëshmitarë, përfshirë edhe opinionin ndërkombëtar, që zoti Kurti gjatë qëndrimit të tij si kryeministër deri sa është rrëzuar nga deputetët, ka bërë dy shkelje të rënda Kushtetuese. Pra një njeri që ka bërë dy shkelje të rënda të Kushtetutës, dhe një njëri që është shkarkuar nga dy të tretat e deputetëve, nuk mund të quhet ndryshe pos uzurpator apo i paligjshëm”, ka thënë presidenti.