Thaçi e Daka takohen për zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot takoi kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka. Temë e këtij takimi ishte mundësia organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut. Në komunikatën nga Zyra e Presidentit nuk bëhën të ditura detaje të tjera rreth këtij takimi. Kujtojmë që Thaçi kishte shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës dhe në Komunën e Mitrovicës së Veriut, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19. Emërimi i Agim Veliut si ministër në Qeverinë Kurti në muajin shkurt të këtij viti, e i Goran Rakiqit zv/kryeministër në Qeverinë Hoti në qershor të po këtij viti, i kishte lënë Podujevën dhe Mitrovicën e Veriut pa kryetar. / 21Media