Teuta Arifi përplaset me opozitën për projektet në Tetovë

Kryetarja e Komunës së Tetovës prezantoi projektet që ka realizuar gjatë vitit 2019. Sipas saj janë asfaltuar shumë rrugë, është bërë ndriçimi publik, riparuar pullazi i shkollës fillore në fshatin Xhepçisht, janë porositur pesë autobusë për transportin publik, si dhe është investuar për inventarin e shkollave fillore dhe të mesme. Arifi për vitin e ardhshëm, sërish ka premtuar hapjen e bulevardeve, transportin publik dhe gazifikimin e qytetit.

Punuam dhe do vazhdojmë të punojmë me shumë përkushtim edhe në vitin që vjen, si planifikimin e rrjetit sekondar për gazifikim, vënia në funksion e transportit urban hapja e bulevardeve të reja si dhe ndërtimi i impiantit për ujërat e zeza. Nga pranvera e hershme do vazhdojmë me punët ndërtimore për bulevardin industrial nga qendra sportive deri tek kazerma e qytetit- deklaroi Teuta Arifi, Kryetare e komunës së Tetovës.

Nga Aleanca për Shqiptarët ndërkaq kritikojnë Arifin për mos përmbushjen e nevojave kryesore të qytetarëve.

Nuk u tha asnjë fjalë, për dallim prej në fushatë kur u desh ti ndihmonte Zoran Zaevit, dhe bashkë me të e premtuan shkollën në Reçicë të Vogël, e cila po ashtu pret zgjidhje. Përse kryetarja nuk përmendi se sa janë borxhet e komunës. Përse nuk u përmendi aspak parkingun shumë katesh të premtuar herë që do bëhet tek stadiumi i qytetit, e herë që do bëhet tek tregu i gjelbër, por, me siguri presin që “baba dimri” t`ua bëj sepse komuna vetë ende nuk ka bërë as projektin e tij- tha Altrim Mamuti. Kryetar i degës së ASH Tetovë.

Nga ana tjetër, banorët shprehen të pakënaqur nga puna e deritanishme e komunës, sidomos në sferën e komunikacionit, pastërtisë dhe hapjes së vendeve të reja të punës.

“Qytetit tonë I duhen shumë gjëra. Më kryesoret janë, komunikacioni e shihni si është katastrofë, një parking nuk ndërtojnë kurse marrin plot para nga veturat. Papunësia e madhe rinia po na ikën jashtë..”.

“Të punojnë më shumë duhet, ta pastrojnë qytetin”.

Ndër kërkesat kryesore të banorëve, mbetet gjithsesi edhe uji për pije, mungesa e hapësirave të gjelbra si dhe ndotja e mjedisit./Alsat