Tetovë, posterët e kandidatëve ende s’janë hequr

Materiali propagandues dhe posterët e kandidatëve për kryetarë të komunës ende janë të pranishme në qytetin e Tetovës.

“Edhe pse kanë kaluar rreth dy muaj nga përfundimi i zgjedhjeve lokale, materialet propaganduese akoma nuk janë larguar në disa pjesë të qytetit të Tetovës”, raporton gazetari i TV21, Senat Zylbehari.

Në bazë të ligjit këto materiale duhet t’i heqin vetë partitë politike, në të kundërtën inspektorati komunal do të duhet që të merr masa. Në rastin konkret inspektorati komunal do të duhet të veprojë ndaj kryetarit të Besës, që njëherë është edhe kryetar i komunës së Tetovës.

Ndryshe sot Komuna e Tetovës nuk ka punuar. Përmes një kumtese ka njoftuar se dita e hënë është ditë jo pune edhe se të njëjtën do të zëvendësojnë ndonjë ditë tjetër.

Në shumë pjesë të qytetit mund të shohësh mbishkrime në mure që kanë ngelur edhe nga zgjedhjet e shumë viteve më parë. Kjo tregon se as partitë politike edhe as inspektorati komunal nuk kanë marr masa as në të kaluarën për të këtë dukuri.