Tetovë, dasmat shkak për rritje të të infektuarve me virus

Rritje drastike të njerëzve të cilët duhet të jenë në mjekim spitalor shënohet në Tetovë, ku tre kapacitete janë shfrytëzuar për pacientë të hospitalizuar. Në repartin infektiv, në repartin intern dhe në spitalin modular ka 26 persona të cilët janë në mjekim spitalor. Gjithashtu Tetova përveç Shkupi ka edhe numrin më të madh të pacientëve të sapoinfektuar.

“Nuk e dimë nëse është vala e katërt ose jo, sido që të jetë po shkon në atë drejtim, dje kishim 64 kontrolle, këtë nuk e kemi pasur që nga vala e vjeshtës. Nga ato kontrolle presim edhe të hospitalizuar të rinj. Me të vërtetë është alarmante në krahasim me vitin e kaluar të kësaj periudhe kur ishte më mirë. Nëse më pyesni për të sapoinfektuarit, ky është rezultat i numrit të rritur të testeve, disa udhëtojnë, disa kthehen mbrapa, ky është një faktor. Rritja e pacientëve të hospitalizuar është për shkak të masave – sikur harruan qytetarët pandeminë, nuk mbajnë maska, nuk ka distancë, ka grupime, etj. Këto ceremoni të dasmave ose ceremoni të tjera të cilat u organizuan kontribuuan që të ketë numër të rritur të pacientëve pozitivë në spital”, deklaroi dr. Gzim Nuredini, koordinator në qendrën e Kovidit.

Për shkak të numrit të rritur të pacientëve të cilët kanë nevojë për mjekim spitalor është lëshuar në përdorim edhe spitali modular, ndërsa vlerësohet se situata është alarmante.

“Spitali modular tashmë ka katër pacientë, funksionon normal. Do të menaxhojmë sipas udhëzimeve të cilat do t’I japin mjekët nga qendra e kovidit, infektologët, si do të thonë ata do të bëhet. Sipas mendimit të tyre nëse atje do të shkojnë pacientë të cilët janë me urgjencë, si me problem të zemrës ose të tjera. Ka edhe në infektiv edhe në repartin intern situata është alarmante. Shohim se si njerëzit janë dobësuar, ndërsa për fat të keq janë persona të moshuar të cilët nuk kanë dalë jashtë. Të rinjtë nuk brengosen por viktimë janë të moshuarit. Ata që janë viktimë dhe rijnë të izoluar në shtëpi dhe do të infektohen. Të gjithë të vaksinohen sa më shpejtë, vaksina ndihmon, pasqyra klinike do të jetë më e letë te secili”, tha Nuredini.

Nga 26 pacientët e hospitalizuar vetëm një është në mbështetje oksigjeni.

“Sa i përket statusit vaksinal, katër prej tyre janë të vaksinuar me vetëm një dozë, një pacient është komplet i vaksinuar, ai është relativisht mirë. Pacienti është diku në moshën 67-vjeçare. Sa i përket moshës së pacientëve kemi 31, 37, dhe të tjerët janë mbi 65 vjet. Të gjithë këta pacientë janë në mbipeshë, kanë edhe komorbiditete të tjera, me anomali të zemrës, probleme në veshkë dhe disa janë me sëmundje kronike të frymëmarrjes”, thaNuredini.

Në mesin e të hospitalizuarve janë edhe mërgimtarë nga Gjermania dhe Italia, po paraqiten edhe klasterë si dhe raste të izoluara.