Tetovë, 76 mijë qytetarë të regjistruar deri tani, disa shkojnë vet në Komunë për t’u regjistruar

Refet Islami nga Tetova nuk ka mundur t’i pret regjistruesit që të vijnë në shtëpinë e tij, andaj ka shkuar në komunë që të regjistrohet, për ta kryer këtë, siç thotë ai obligim. Ai apelon që të gjithë qytetarët të regjistrohen.

“Unë i kam pritur çdo ditë. dokumentet i bëra gati dhe nuk erdhën. Mbrëmë dëgjova në televizion se mundet edhe këtu, dhe i mora dokumentet dhe erdha, t’i regjistroj ta mbarojmë këtë punë. Jo nuk kanë ardhur në mëhallën, tonë nuk kanë ardhur hiq. Për detyrë e kanë ata që të vinë tek shtëpia, por ata nuk erdhën dhe koha është e shkurtët për regjistrim edhe u detyrova të vij këtu. Duhet me ardhur që mos mbesin pas, pse të ngelim pas”, tha Rafet Islami, qytetar i Tetovës.

Nazmi Dauti, anëtar i komisionit regjistrues thotë se në Tetovë nuk ka problem më rënien e rrjetit dhe deri më tani janë regjistruar 76 mijë qytetarë.

“Procesi i regjistrimit të popullsisë rrjedhë pa problem dhe pa pengesa edhe pse hasim në problem të vogla kohë mbas kohe, dy-tre minutëshe në lidhje me rënien e sistemit, duke pasur parasysh se komisioni numër 32 mbulon edhe komunën e Bogovinës. Kemi edhe vende malore dhe ndonjëherë rrjeti bën, si në fillim që sistemi nuk punoi katër ditë. Përqindja e të regjistruarve deri në këto moment në komunë e Tetovës ka arritur në 76 mijë”, njofton Dauti.

Në Tetovë numri i atyre që nuk duan të regjistrohen është shumë i vogël.

“Kemi të paraqitura raste të këtilla ku regjistruesit janë të obliguar të njoftojnë komisionin numër 32 dhe entin shtetëror të statistikës për personat që refuzojnë që të regjistrohen dhe më pas Enti Statistikor vendos se çfarë do të ndodhë me ta”, shton Dauti.

Në Tetovë nga komisioni 32 ka edhe njëzet rajone që akoma nuk ka filluar ky proces, ku pritet që gjatë ditës së sotme edhe të nesërme regjistruesit të shpërndahen edhe në këto rajone. Regjistrimi i popullsisë do të zgjasë deri në 30 shtator./TV21