Tetova këtë javë bëhet qendër e aktiviteteve kulturore

Me një kast aktorësh të mrekullueshëm, Teatri i Tetovës nesër sjell premierën e shfaqjes “Në përballje me vdekjen”, e cila mbështetet në krijimtarinë e Uilliam Shekspirit dhe August Strindbergut. Regjia mban firmën e regjisores së njohur Afërdita Nuhiji, ndërsa për kostumet është kujdesur kostumografja Medina Hoxha.

Shfaqja trajton marrëdhëniet ndërfamiljare, duke e bërë temën jashtëzakonisht aktuale dhe afër publikut, pasi secili mund ta gjejë veten në ndonjë prej situatave që shpalosen në skenë.

“Procesi ka qenë shumë i mirë, shumë i këndshëm dhe jo shumë i gjatë. Një muaj e gjysme kemi bë prova por uroj që kjo shfaqje të ketë shumë jetëgjatësi, sepse sjell fenomeni aktual që e kemi dhe uroj që shfaqja të shëtis gjithandej. Është më tematikë mes fëmijëve dhe prindërve por kapen edhe linjat e marrëdhënieve mes familjes, mes motrave e miqve”, tha Afërdita Nuhiji, regjisore.

“Shfaqja është dramë socio-ekonomike ku nxjerr raportet mes prindërve dhe fëmijëve dhe ajo se deri ku mund të arrijë një prind, për mirëqenien e fëmijës së vetë”, theksoi Blerim Ismani aktor.

Vetëm një ditë pas premierës së përmendur, Tetova do të vazhdojë me një tjetër aktivitet kulturor të rëndësishëm, Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, i cili këtë vit do të mbahet për herë të 29-të me radhë.

Festivali do të nisë me një manifestim para Shtëpisë së Kulturës në orën 19:30, ndërsa më pas do të vazhdojë në sallën e madhe të pallatit të kulturës, ku do të hapet zyrtarisht edicioni i ri dhe poetët pjesëmarrës do të lexojnë krijimet e tyre.

“Më pas në sallën e madhe të pallatit, ku do të çelet edicioni i 29 dhe do lexojnë poetët krijimet e tyre. Aty do ndahet edhe çmimi “Naim Frashëri” poetit të madh Manfred Çobot. Sivjet do kemi 22 poetë nga vendetë ndryshme të Botës, si SHBA, Polonia ,Kolumbia, Austria, Sllovenia, Bosnja e Mali i Zi e kështu me radhë”, u shpreh Shaip Emërllahu, drejtor i FNP “Ditët e Naimit”.

Manifestimi letrar “Ditët e Naimit” do të përmbyllet me Orën e Madhe Letrare, e cila tradicionalisht mbahet në ambientet e Teqesë Arabati Baba në Tetovë. Aty, poetë nga vende të ndryshme të botës do të prezantojnë krijimtarinë e tyre poetike, duke e shndërruar Tetovën për disa ditë në një qendër të poezisë ndërkombëtare./ Alsat.mk