Tetë vjet më parë, më 1 maj të vitit 2012, ndodhi aksioni policor Monstra, në të cilin u bastisën dhjetëra shtëpi shqiptarësh e u prangosën 20 persona, mes të cilëve disa gra të reja dhe një loke 65 vjeçe. Menjëherë pas aksionit ish ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska e dha verdiktin gjyqësor . Ajo tha se kanë arrestuar një grup terrorist islamik I cili ka kryer vrasjen e pesëfishtë në Smillkovcë, më 12 prill të po atij viti. Deklaratat Jankullovska I bëri përkrah zëvendësit të saj, kuadrit të BDI-së Xhelal Bajrami i cili tani, tetë vite pas aksionit, mban postin e prokurorit të lartë në Prokurorinë Republikane. Pas terrorit të shkaktuar për më shumë se 48 orë, shumica e personave të prangosur ishin liruar në mungesë provash ose lidhshmërie me rastin ndërsa vetëm, Fejzi Aziri, Agim Ismailoviq dhe Rami Sejdiu mbetën në listën e të dyshuarve. Për Ali Demirin dhe Afrim Ismailloviqin u shpall flet arrest ndërkombëtar dhe ata u arrestuan më vonë në Prishtinë dhe vuajtën dënimin për një vepër tjetër. Mes personave që u arrestua më 1 maj ishte edhe Haki Aziri, për të cilin pas disa ditësh kërkim u mor vesh se ai ishte marrë si dëshmitar i mbrojtur, por më vonë pasi kishte refuzuar të dëshmojë, ishte shndërruar në një prej të akuzuarve .
Arrestimi i dhjetëra shqiptarëve, sidomos femrave shqiptare që u panë në pranga, dhe kualifikimi si terrorist islamik, revoltuan tej mase popullatën vendase e cila nuk hezitoi të protestojë çdo javë verën e nxehtë të vitit 2012.
Gjashtë muaj më vonë, më 2 dhjetor të vitit 2012, në Gjykatën Themelorë Shkup 1 nisi procesi gjyqësor. Në listën e të akuzuarve për terrorizëm që e përpiloi prokurorja Gordana Geshkovska gjendej tashmë edhe një emër i ri, Sami Luta. Gjithë procesi u zhvilluar duke u bazuar në dëshminë e një dëshmitari të koduar E1 ndërsa si prova materiale ishin marrë bisedat telefonike mes të akuzuarve. Si provë e prokurorisë është marrë edhe libri i shenjtë islam, Kurani si dhe kënga “Për ty Gostivar” e kënduar nga Gold AG, që është gjetur në kompjuterin e njërit prej të akuzuarve. Avokatët e quajtën rastin si një konstruksion me prapavi politike sidmos për faktin se asnjë provë materiale nuk i lidh të akuzuarit me veprën penale.
Më 30 qershor të vitit 2014 u soll aktvendimi i shkallës së parë ku u dënuan pesë të akuzuar me burg të përjetshëm, ndërsa njëri, Rami Sejdiu u shpall i pafajshëm. Këtë vendim e konfirmoi së edhe Gjykata e Apelit.
Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit.
Procesi gjyqësor ende vazhdon. /SHENJA/