Tetë vite pa rektorin e parë të UT-së, Fadil Sulejmani

Abdulla Mehmeti

P ë r k u j t i m

TETË VJET PA REKTORIN E PARË TË UNIVERSITETIT TË TETOVËS, PROF. DR. FADIL SULEJMANI

Sot mbushen 8 vjet nga shuarja e Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, prof. dr. Fadil Sulejmani.

Fadil Sulejmani u lind më 5 dhjetor 1940, në katundin Bozovcë të Malësisë së Tetovës. Arsimin fillor e kreu në vendlindje dhe në qytetin e Tetovës, kurse shkollën e mesme e kreu gjithashtu në Tetovë. Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, ndërsa Fakultetin Filozofik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe e kreu në Prishtinë. Studimet pasuniversitare të magjistraturës i kreu në Beograd, kurse ato të doktoraturës i mbaroi në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar fillimisht arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe, në Obiliq të Prishtinës dhe 2 vjet ka qenë profesor i gjuhës latine në Gjimnazin e Mitrovicës. Në vitin 1971 e filloi punën mësimdhënës i rregullt i lëndëve Morfologji dhe Fonetikë e gjuhës shqipe në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku punoi deri në vitin 1993, kur pushteti serb e pushtoi dhunshëm këtë universitet dhe disa institucione të tjera arsimore e shkencore të Kosovës. Në vitin 1995, Fadil Sulejmani u zgjodh profesor i rregullt i shkencave të filologjisë në këtë universitet.

Gjatë kohës sa ishte mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës, formimin e tij akademik e vijoi me 2 vjet specializim, si bursist i Fondacionit ,,Aleksandër Humbold”, në Bon të Gjermanisë, si dhe 1 vit në Itali, që i mundësuan edhe njohjen e gjuhës gjermane dhe italiane, të cilat i shërbyen më vonë në hulumtimet e tij shkencore.

Në vitin 1990, me fillimin e proceseve demokratike, u kthye nga Prishtina në Tetovë, qytetin e tij të lindjes, ku u angazhua së bashku me intelektualë të tjerë dhe ish të burgosur e të përndjekur politik në aksionin e madh popullor për Pajtimin e gjaqeve.

Në muajin gusht vitin 1990, me themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare, me seli në Tetovë, Këshilli nismëtar, i inicuar dhe kryesuar nga prof. Abdulla Mehmeti, profesorit Fadil Sulejmani ia besoi detyrën e kryetarit të kësaj organizate, duke pasur parasysh kontributin e tij të mëhershëm për arsimin, shkencën dhe kulturën shqiptare, të cilën detyrë e ushtroi deri në muajin gusht të vitit 1991.

Në vitin 1991, bashkë me punonjës të tjerë shkencorë, intelektualë dhe përfaqësues të asociacioneve shqiptare në Maqedoni, u angazhua për organizimin e Simpoziumit shkencor ,,Shqiptarët e Maqedonisë”, i cili në aspektin e gjithanshëm shkencor e ndriçoi historinë e shqiptarëve dhe të këtyre trevave etnike nga lashtësia e hershme deri në ditët e sotme.

Më 1994, bashkë me intelektualë të tjerë ka qenë njëri ndër nismëtarët e themelimi të Universitetit të Tetovës. Në Kuvendin themelues të këtij Universiteti, më 4 qershor, u emërua anëtar i Kryesisë së Universitetit, ndërsa më 8 janar 1995 u zgjodh Rektor i Universitetit të Tetovës, detyrë që e ushtroi në dy mandateve, deri në vitin 2002.

Në ngjarjet më të rëndësishme të fillimit të punës së këtij Universiteti, prof. dr. Fadil Sulejmani ishte në ballë të këtyre aktiviteteve si, në drejtimin e punës së organeve të përkohshme të Universitetit, në sjelljen e Vendimit për hapjen publike dhe fillimin e punës së Universitetit, më 17 dhjetor 1994; në hapjen publike të vitit akademik 1994/1995, më 15 shkurt 1995, në Reçicë të Vogël; në fillimin e ligjëratave të para, në Poroj dhe Riçicë të Vogël, më 16 dhe 17 shkurt 1995; si dhe në aktivitete të tjera të cilat ia vunë vulën arsimit universitar në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë. Për këto aktivitete, pushteti i asaj kohe në Maqedoni e ndoqi, e maltretoi shumë herë bashkë me familjen e tij dhe e dënoi me 2 vjet heqje lirie, ndërsa dënimin me burg e vuajti në kohëzgjatje prej afër një viti.

Profesor Fadil Sulejmani është nderuar me disa çmime nga Universiteti Shtetëror i Tetovës. Krahas titullit “Rektor Nderi i Universitetit të Tetovës”, akorduar nga Senati i këtij Universiteti, më 25 nëntor 2002, u pasua edhe me çmimin “Nderi i Universitetit të Tetovës”, më 17 dhjetor 2002. Në 18 vjetorin e fillimit të punës së Universitetit, më 17 dhjetor 2012, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Rektorit të Parë, Prof. dr. Fadil Sulejmanit i ndau titullin: Doktor nderi i shkencave (Doctor honoris causa) i Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Profesor Fadil Sulejmani është autor i mbi 10 veprave shkencore dhe më tepër se 200 artikujve të publikuar në periodikë të ndryshëm dhe revista shkencore. Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë: ,,E mbsuame e krështerë e Lekë Matrëngës”, një monografi për jetën dhe veprën e këtij autori arbëresh, Prishtinë 1979; ,,Praktikumi i Gjuhës së Sotme Shqipe”, Prishtinë 1981, 1984; ,,Lindja, martesa dhe vdekja në Malësitë e Tetovës”, monografi për ritet familjare në këtë trevë; ,,Njohuri për Gjermaninë dhe popullin e saj”, 1995; ,,Fonetika e gjuhës gjermane”, 1995; ,,Morfologjia e gjuhës gjer