Tetë viktima dhe 249 raste me korona virus në Kosovë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka raportuar të premten për 249 raste të infektimit me koronavirus, pas kryerjes së 1,048 testeve.

Në 24 orët e fundit, autoritetet kanë thënë se janë regjistruar tetë viktima duke e çuar në 1,298 numrin total të të vdekurve prej kur ka shpërthyer pandemia.

“Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 2 raste (77, 68 vjeç), Fushë-Kosovë 1 rast (62 vjeç), Gjilan 1 rast (83 vjeç), Mitrovicë 1 rast (73 vjeç), Pejë 1 rast (68 vjeç), Skenderaj 1 rast (77 vjeç) dhe Vushtrri 1 rast (76 vjeç)”, është thënë në njoftim.

Në njoftimin e tij ditor, ky Institut ka thënë se të premten nga sëmundja që e shkakton koronavirusi, COVID-19, janë shëruar 538 pacientë, derisa raste aktive janë 10,181.

Prej 13 marsit, kur janë raportuar rastet e para me koronavirus në Kosovë, e deri më 25 dhjetor autoritetet kanë regjistruar 50,135 raste.

Prej tyre 38,656 janë shëruar.

Po këtë ditë, Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj ka bërë të dituar se autoritetet kanë përditësuar kategorizimin e ri të qyteteve në zona, në bazë të rrezikshmërisë së përhapjes së koronavirusit.

Në zonën e kuqe, këtë javë janë tetë komuna: Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Podujeva, Zveçani dhe Zubin Potoku.

Në zonën e verdhë janë 11 komuna: Kamenica , Gjakova, Gjilani, Peja, Vushtrria, Ferizaji, Shtërpca, Leposaviqi, Lipjani, Graçanica dhe Novobërda.

Ndërsa në zonën e gjelbër janë 19 komuna: Drenasi, Klina, Hani i Elezit, Shtimja, Suhareka, Skënderaji, Malisheva, Parteshi, Rahoveci, Prizreni, Deçani, Kaçaniku, Juniku, Dragashi, Mamusha, Kllokoti, Vitia, Istogu dhe Ranillugu.

Në qytetet që janë në zonën e kuqe, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve si dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në ora 05:00.

Komunat që janë në zonën e verdhë u lejojnë operatorëve ekonomikë që të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00. Pas këtij orari, shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë mund të punojnë me shërbimin “merre me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Në komunat e zonës së gjelbër, që hyjnë në këtë zonë me rrezik më të ulët të përhapjes së koronavirusit, operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00.