Tetë fëmijë të vdekur pasi një triçikletë fundoset në një kanal në Egjipt

Të paktën tetë fëmijë vdiqën të shtunën kur një triçikletë u përmbys dhe u fundos në një kanal vaditjeje në Egjipt, kanë bërë të ditur autoritetet.

Aksidenti ka ndodhur në qytetin Itay el-Baroud në provincën mesdhetare Beheira, raporton Associated Press, transmeton Koha.net. Fëmijët ishin punëtorë në një fabrikë në qytet, rreth 140 kilometra në veri të kryeqytetit të Kajros, bëri të ditur Policia.

Automjeti me tri rrota po mbante të paktën 13 persona kur u përmbys dhe u fundos në kanal.

Ekipet e shpëtimit morën trupat e tetë fëmijëve të moshës 12-15 vjeç, thanë autoritetet shëndetësore.

Të paktën katër të tjerë mbijetuan dhe punonjësit e shpëtimit po kërkojnë të paktën një tjetër.
Prokurorët kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentit.

Aksidentet e trafikut janë të zakonshme në Egjipt, ku rrugët shpesh mirëmbahen keq dhe rregulloret mungojnë.