Terrorizmi dhe Covid-19

Arbër Çeliku

Nga viti 2001, diskursin e përgjithshëm global politik dhe mediatik e dominoi leksema TERRORIZMI, kryesisht “terrorizmi islamik”. Qytetarët e vendeve perëndimore për gati 2 dekada jetuan në ankth, përpos kësaj, edhe krijuan dhunshëm stereotipa të theksuara fetare dhe kulturore. Unë zakonisht kur mbaj mësim jashtë vendit, kur më pyesin studentët e huaj çfarë religjioni kam: U them pa droje shqiptar mysliman. Identiteti është një entitet i pamohueshëm dhe përmes tij karakterizohet çdo njeri. Njëherë një student i huaj, më tha: “Nuk dukesh fare si mysliman”. Qeshi i tërë auditori, qesha dhe unë. “Pse, si duket një mysliman?”, e pyeta. “I frikshëm”. Auditori qeshi persëri. “Edhe unë kam çehre të frikshme”, ia ktheva përsëri duke vënë buzën në gaz. “Kështu u dukem shumicës së njerëzve në vendin tim, të cilët nuk më njohin nga afër”. Rezultoi se studenti në fjalë kurrë nuk e kishte njohur nga afër një mysliman, por rrethi shoqëror dhe mediumet kishin ndikuar, që ai të kishte një përfytyrim të shpërfytyruar për një mysliman. Nuk e zgjata më shumë në klasë, ngaqë nuk bëj mësim fetar dhe etika ime akademike nuk ma lejon, por pas orës mësimore e luta të flisnim shkurt dhe, që të dy ramë dakord se BESIMI i bashkonte njerëzit, kurse RELIGJIONI i përçante, i çonte drejt konflikteve individuale dhe kolektive.
Leksema COVID 19 e zëvendësoi fuqishëm leksemën TERRORIZËM, madje duke ngjallur shumë më shumë FRIKË edhe se “terrorizmi islamik”. Dhe njerëzit, siç duket, kanë gjithmonë nevojë ta kenë adrenalinën lartë. Por, ka edhe të atillë, që përfitojnë nga e gjithë kjo…