Terra incognita

Shkruan: Veton Surroi 

Një version i distiluar i asaj që ndodhi në Ohër më 18 mars dhe çka do të ndodhë më tutje

1.

Çka ndodhi në Ohër?

Ja një version i thjeshtësuar e i distiluar nga interpretimet, një pjesë të të cilave, duke i përcjellë që nga e shtuna mbrëma, tingëllonin si një version i “Big Brother”, por me përmbajtje më të theksuar politike.

Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit.

Ky dakordim iu dha përfaqësuesve të BE-së. Përfaqësuesit e BE-së ia bashkëngjitën këtë letër Propozimit të dakorduar më herët, më 27 shkurt, dhe shpallën se tashmë kanë një dokument të dakorduar në tërësi.

Ky dokument i dakorduar në tërësi, të hënën iu paraqit Këshillit Evropian dhe ata e mirëpritën.

Bashkimi Evropian tash këtë e konsideron si dokument, të cilin e bën pjesë ligjore të marrëdhënieve kontraktuale me Serbinë në kapitullin 35 të negociatave për anëtarësim në BE, gjegjësisht të marrëdhënieve të veta kontraktuale me Kosovën në aranzhimin special të MSA-së.

Dokumenti i dakorduar më 27 shkurt dhe 18 mars është marrëveshje ndërkombëtare. Por jo mes Kosovës dhe Serbisë. Është mes Serbisë dhe BE-së dhe Kosovës e BE-së, diçka krejtësisht e pazakontë në një proces normalizimi.

Dhe kjo bën pjesë të një udhëtimi që dihet ku e ka cakun (arritjen e Marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese që është emri i koduar për një marrëveshje që ka në qendër njohjen e ndërsjellë), por që kalon nëpër Terra incognita, tokë të panjohur, të pashkelur deri tani.

2.

Udhëtimi i dokumentit nëpër tokë të panjohur është i përbashkët për BE-në, Kosovën dhe Serbinë.

Që nga kjo javë që të tria palët duhet të akomodohen me një realitet të ri, e ai është se themeli i këtij rrugëtimi është fakti se Kosova dhe Serbia janë dakorduar (me BE-në) se baza e marrëdhënieve të tyre do të jetë barasvlefshmëria e identiteteve të veta të veçanta juridike. Apo thënë më thjeshtë, barazia e shteteve të tyre të ndërsjella. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Kjo ka ndodhur, me shumë vështirësi, në marrëdhëniet e Serbisë me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë (me dy prej të cilave ka qenë edhe në luftë, BH dhe Kroacia), por ky është një kufi mendor i cili ka qenë i pakapërcyeshëm deri më sot për Serbinë e shumicës absolute.

Dhe kjo është një tokë e pashkelur për BE-në (me pesë mosnjohës të pavarësisë së Kosovës). Tash që Kosova dhe Serbia u dakorduan (me BE-në) që themeli i normalizimit të tyre do të jetë barazia, edhe BE-ja duhet ta normalizojë marrëdhënien e saj me Kosovën në themel të barazisë.

Mirë se vini në periudhën e post-asteriskut!

Kjo periudhë e post-asteriskut, deri te stacioni tjetër- Marrëveshja me bazë në njohje të ndërsjellë – do të vlejë 150 ditë, nëse BE-ja arrin që me Kosovën dhe Serbinë të zbatojë të gjitha pikat e Planit të vet. Ose do të zgjasë më shumë, për aq sa palët nuk do të arrijnë marrëveshje. Por, për dallim prej periudhës së asteriskut, natyra e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë tashmë ka kaluar barrierën psikologjike të barazisë. Rrjedhimisht, është kaluar stadi kur çështja e natyrës së marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ishte e diskutueshme.

Dhe, kjo është korniza e negociatave të ardhshme.

3.

Negociatat nuk do të jenë të lehta.

Pesë muajt e ardhshëm do t’i sfidojnë Kosovën, Serbinë dhe BE-në që në fund të këtij afati Kosova të ketë gjetur forma të reja inventive për marrëdhëniet mes shtetit dhe komunitetit serb në të, gjegjësisht marrëdhënieve legjitime të Serbisë me pakicën e vet kombëtare në Kosovë. Pjesë e kësaj sfide do të jetë, po ashtu, përligjja e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe, e në këtë rrugë edhe me komunitetet e tjera tradicionale fetare në vend.

Në fund të këtij afati Kosova dhe Serbia duhen të kenë në funksion përfaqësitë e veta të ndërsjella (diplomatike); duhet të jenë duke punuar intensivisht në bazë të një marrëveshjeje për zbardhjen e plotë të fatit të të zhdukurve me dhunë; duhet të mësohen me faktin se Kosova ka të drejtë të jetë në Këshill të Evropës e të ketë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Në fund të këtij afati, Kosova dhe Serbia duhen të kenë gjetur mënyrën për të arritur marrëveshje për shumë fusha, prej aviacionit e deri te kultura. Dhe kjo nuk është veçanërisht e vështirë: nëse themeli i normalizimit është barazia, do të jenë pak a shumë të barasvlefshme për marrëdhënie me Serbinë ato që i ka arritur Kosova me Malin e Zi, apo ato të cilat i ka mbërritur Serbia me Maqedoninë Veriore.

Por, për t’i arritur të gjitha këto duhet të kalohet nëpërmjet ndërmjetësimit të BE-së. Ky ndërmjetësim ia jep vetes të drejtën të caktojë edhe ritmin e arritjes së marrëveshjeve, edhe radhitjen sipas të cilave duhet të arrihen, edhe vlerësimin a janë arritur apo jo, edhe vlerësimin se kush mbahet përgjegjës për mosarritjen a pengimin e arritjes së marrëveshjeve.

E BE-ja nuk është se ka krijuar ndonjë përshtypje të madhe për t’u lavdëruar në negociatat Kosovë-Serbi: procesi i normalizimit ka filluar që nga viti 2011.

4.

Nëse nuk arrihen marrëveshjet thuhet se palët do të ndëshkohen në rrugën e tyre evropiane. Meqë nuk është se Serbia e Kosova janë në ndonjë rrugëtim të shpejtuar evropian (Serbia në rastin më të mirë mund të anëtarësohet diku pas dhjetë vjetëve të ardhshëm e Kosova nuk është as shtet kandidat), ky ndëshkim nuk çon shumë kandar. Ndëshkimi tjetër eventual, ai i ndërprerjes së financave të BE-së, do të mund të ndodhte, por jo si një shkop që gjendet në duart e një ministri të jashtëm të një vendi sovran. Për të arritur ndëshkimet duhet dakordim i vendeve anëtare, e ato jo domosdoshmërisht pajtohen me vlerësimet e lehtësuesit të BE-së.

Për më tepër, nëse mungojnë shkopinjtë, mungojnë edhe karotat. Edhe nëse nënshkruhen të gjitha marrëveshjet në 150 ditët e ardhshme, Serbia e Kosova do të jenë pothuajse në të njëjtin vend karshi BE-së. I vetmi ndryshim i mundshëm thelbësor do të ndodhte po të merrte Kosova njohjen e pesë shteteve anëtare të BE-së ; atëbotë do të bëhej normalizim i plotë i marrëdhënies së Kosovës me BE-në.

Ndërlikim të mëtejmë sjell faktori rus, i cili është pjesë e Terra incognita.

Për Moskën fundi i luftës në Ukrainë është ende i panjohur si cak ushtarak e politik. Për të përligjja e Krimesë si territor i vet në një proces negociator paqeje mund të shndërrohet këto ditë si objektiv kryesor politik e ushtarak, në mungesë të ndonjë perspektive fitoreje ushtarake. Në këso konditash faktori rus kërkon që Serbia të ngadalësojë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në mënyrë që në negociata për fundin e luftës në Ukrainë (ku do të jenë fuqitë e mëdha) Krimeja të këmbehet për Kosovën. Në këso konditash në BE dhe SHBA shpejtësia për të arritur normalizim Kosovë-Serbi bëhet po ashtu pjesë e një nevoje globale gjeopolitike. Dhe në këso konditash, largimi i Serbisë nga Rusia e shpejtësia e arritjes së normalizimit i japin Serbisë pozitë të avancuar negociatore karshi BE-së.

5.

Në fund të këtij procesi parashihet një konferencë donatore për Kosovën dhe Serbinë, e për projektet e tyre të përbashkëta infrastrukturore e të tjera. Ky do të ishte një lloj manifestimi i shpërblimit, gjithsesi i vlefshëm e i matshëm në euro, e më shumë në frymën e bashkëpunimit që duhet të tregojnë të dyja palët për të arritur te ato euro.

Por, mbase shpërblimi më i madh, jashtëzakonisht më i madh për të dyja vendet do të jetë mundësia që të arrijnë në një pikë ku e shohin njëra-tjetrën me konstatimin se e kanë mbyllur një konflikt të papërfunduar, një që zgjat tashmë më shumë se një shekull.