Tërnava: Gjatë Ramazanit, të respektohen masat kundër pandemisë

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët myslimanë në Kosovë për Muajin e shenjtë të Ramazanit, i cili nis më 13 prill.

Në një konferencë për media, myftiu Tërnava theksoi se Muaji i Ramazanit, është muaj i paqes, mëshirës dhe bamirësisë.

“Gjatë muajit Ramazan të bëjmë më të mirën e mundshme me ibadete, lutje, namaz, sadaka dhe solidaritet, me bindje e përkushtim që të arrijmë kënaqësinë e krijuesit”, tha Tërnava.

Myftiu Tërnava u bëri thirrje besimtarëve që edhe gjatë Muajit të Ramazanit të respektojnë masat kundër pandemisë.

“Është obligim i yni që ta ruajmë veten, familjen dhe shoqërinë nga infektimi. Ju ftoj që të respektoni masat kundër COVID-19. Me shpresë te i madhi Zot, që shumë shpejt edhe ne ta kemi vaksinimin e popullatës dhe kështu ta tejkalojmë edhe këtë sfidë të kohës me të cilën po përballemi që më shumë se një vit”, tha Tërnava.

Besimtarët e fesë islame në mbarë botën nisin agjërimin 30-ditor më 13 prill.

Në Kosovë, aktualisht janë në fuqi disa masa kufizuese me qëllim të frenimit të përhapjes së mëtejme të pandemisë, ku përfshihet ndalimi i qarkullimit të qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00.

Xhamitë në mbarë Kosovën janë të hapura, por në fuqi janë rregullat e mbajtjes së maskës, distancës dhe higjienës personale./REL