Tërmeti në Shqipëri, Austria dhuron 600 mijë € për rindërtimin

Republika e Austrisë do të ndihmojë qeverinë shqiptare në përballimin e pasojave të tërmetit të datës 26 nëntor 2019, duke vënë në dispozicion 600 000 €, për rindërtimin e banesave të shkatërruara apo dëmtuara.

Marrëveshja për dhurimin e kësaj shume u nënshkrua në Ministrinë e Mbrojtjes nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako dhe drejtoresha e zyrës lokale të Agjencisë Austriake Për Zhvillim Simone Ungersböck.

Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet e prekura nga tërmeti, duke rindërtuar ose riparuar shtëpitë e dëmtuara.

Përfituesit kryesorë të këtij donacioni do të jenë kryesisht bashkitë e Durrësit dhe të Tiranës.

Partner zbatues i kësaj marrëveshjeje është Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ndërsa Agjencia Austriake për Zhvillim do të monitorojë gjithë procesin e zbatimit të këtij projekti dhe do të informohet në mënyrë të vazhdueshme, direkt në terren për ecurinë e këtij projekti.