Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë gazetarëve se do të ishte i gatshëm të tërhiqte trupat nga zemra industriale lindore e vendit, nëse Rusia tërhiqet gjithashtu dhe zona bëhet një zonë e demilitarizuar dhe e lirë ekonomike e monitoruar nga forcat ndërkombëtare.
Mirëpo, ai ka deklaruar se propozimi duhet gjithashtu të vihet në një referendum.
Krijimi i një zone të lirë ekonomike në Donbas do të kërkonte diskutime të vështira se sa larg do të duhej të lëviznin trupat dhe ku do të stacionoheshin forcat ndërkombëtare, ka thënë Zelensky.
“Sepse njerëzit mund të zgjedhin: a na përshtatet ky përfundim apo jo?”, ka deklaruar ai lidhur me referendumin.
Një votim i tillë do të kërkonte 60 ditë, ka thënë ai, kohë gjatë së cilës armiqësitë duhet të ndalen.
Një marrëveshje e ngjashme mund të jetë e mundur edhe për zonën përreth termocentralit bërthamor Zaporizhzhia, i cili aktualisht është nën kontrollin rus, ka shtuar lideri ukrainas.
Zelensky ua ka paraqitur gazetarëve të martën planin gjithpërfshirës prej 20 pikash që negociatorët nga Ukraina dhe SHBA-ja hartuan në Florida ditët e fundit, megjithëse tha se shumë detaje janë ende duke u përpunuar.
Drafti SHBA-Ukrainë propozon gjithashtu që forcat ruse të tërhiqen nga rajonet Dnipropetrovsk, Mykolaiv, Sumy dhe Kharkiv.
Zelensky parashikon që forcat ndërkombëtare mund të vendosen përgjatë pikave të caktuara të vijës së kontaktit brenda zonës së lirë ekonomike për të monitoruar zbatimin e marrëveshjes.
“Meqenëse nuk ka besim te rusët dhe ata i kanë shkelur vazhdimisht premtimet e tyre, vija e kontaktit e sotme po shndërrohet në një vijë të një zone të lirë ekonomike de facto, dhe forcat ndërkombëtare duhet të jenë atje për të garantuar që askush nuk do të hyjë atje nën asnjë maskë – as ‘njerëz të vegjël të gjelbër’ dhe as ushtri ruse të maskuar si civilë”, ka deklaruar Zelensky.
Negociatorët amerikanë janë angazhuar në një seri bisedimesh me Ukrainën dhe Rusinë veçmas që kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump paraqiti një plan për t’i dhënë fund luftës muajin e kaluar – një propozim që shihej gjerësisht si në favor të Moskës, e cila pushtoi fqinjin e saj gati katër vjet më parë.
Që atëherë, Ukraina dhe aleatët e saj në Evropë kanë punuar për ta afruar planin më shumë me qëndrimin e Kievit.
Vendimi se çfarë do të ndodhë me rajonin Donbas të Ukrainës, pjesën më të madhe të të cilit e ka pushtuar Rusia, dhe se si do të menaxhohet centrali bërthamor më i madh i Evropës janë disa nga pikat më të vështira në negociata.
I pyetur për planin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të mërkurën se Moska do të paraqiste qëndrimin e saj bazuar në informacionin e marrë nga i dërguari presidencial rus, Kirill Dmitriev, i cili u takua me të dërguarit e SHBA-së në Florida gjatë fundjavës.
Rusia nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të bjerë dakord për ndonjë lloj tërheqjeje të trupave të saj nga toka që ka pushtuar.
Në fakt, Moska zyrtare ka këmbëngulur që Ukraina të heqë dorë nga territori i mbetur që ende mban në Donbas – një ultimatum që Ukraina e ka refuzuar.
Rusia ka pushtuar pjesën më të madhe të Luhanskut dhe rreth 70% të Donetskut – dy zonat që përbëjnë Donbasin.




