Një shtetas italian është gjetur pa shenja jete në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Salari të Tepelenës, në vendin e njohur si “Dilan”. Viktima është identifikuar si E. S., 44 vjeç, banues në Tiranë. Dyshohet se ai është vrarë me armë zjarri.
Siç raporton Tch duke iu referuar burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, trupi i pajetë i shtetasit italian është gjetur rreth orës 00:30, pranë një rruge rurale. Shërbimet e Policisë janë njoftuar menjëherë dhe kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet paraprake.
“Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe për identifikimin e autorit apo autorëve të dyshuar”, thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë.
Në terren janë angazhuar forcat e Drejtorive Vendore të Policisë së Fierit dhe Vlorës, të cilat po kryejnë kontrolle të zgjeruara në zonë dhe në disa ambiente të dyshuara, me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e autorit.
Deri në këto momente, ende nuk ka të dhëna për motivin e krimit apo për personat e përfshirë, ndërsa Policia ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët.
Hetimet vijojnë në mënyrë intensive.