Tensionet në veri, mblidhet Këshilli i Sigurisë, Kurti e Sveçla do të flasin pas mbledhjes

Pas tensioneve në veri të vendit, është mbledhur Këshilli i Sigurisë, raporton Express.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, ku ka njoftuar se pas kësaj mbledhje Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë konferencë për media.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mbajnë konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, serbët lokalë kanë vendosur barrikada, në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e komunitetit serb.

Si rrjedhojë, Policia e Kosovës mbylli rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë, duke e konsideruar këtë vendim si masë paraprake të sigurisë.

Më vonë, Policia ka njoftuar se dje në tri raste është shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut.

“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut. Njësitet policore, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur. Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri”, ka njoftuar Policia.