Tensione në Kuvend/ Ramush Haradinaj me akuza të rënda ndaj kryeministrit Kurti, i reagon Konjufca: Kujdes fjalorin!

​Bislimi: Opozita dikur kritikonte masat e pakos emergjente, sot po e kërkon rikthimin e tyre

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha se interpelanca për shtesat ka një keqinterpretim të qëllimshëm për vendimin e qeverisë, pasi sipas tij, janë vetë fjalimet e opozitës ato që tregojnë fuqishëm se masat e vendosura nga Qeveria Kurti 1 kanë qenë të duhura.

Bislimi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka kritikuar deputetët e opozitës duke thënë se nuk po i vendosin vetës “kurth” sa i përket komenteve për përfitimet shtesë të disa kategorive.

Bislimi: Opozitës po i përvidhet mungesa e konsistencës

“Ajo që iu përvidhet folësve është mungesa komplete e konsistencës dhe kurthi i pamenduar që i vendosin vetes. Sa për rikujtim, të gjitha këto përfitime shtesë janë aprovuar nga Qeveria Kurti 1 në fund të marsit 2020, si pjesë e masave të pakos emergjente fiskale. Atë kohë Qeveria Kurti 1 kishte argumentuar nevojën e implementimit të këtyre masave, si urë-kaluese drejt pakos të rimëkëmbjes ekonomike, e cila do të fillonte pas përfundimit të pandemisë. Meqë masat kufizuese të vendosura nga institucionet kompetente të shëndetësisë parashikonin atëherë tejkalim të vështirësive deri në muajin qershor, ishte e logjikshme që për këto masa të parashihej afati kohor tre mujor”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, opozita kishte hartuar vetë pako alternative të rimëkëmbjes ekonomike, e që nuk ishin përfshirë këto kategori.

Bislimi: Më akuzuan pse i autorizova pagesat

“Të gjithë këta që sot po kërkojnë me ngulm rikthimin e këtyre masave, edhe me më shumë ngulm kishin kundërshtuar të njëjtat në prill 2020. Madje duke pamundësuar trajtimin e tyre në seancë, duke pamundësuar votimin në Kuvend për ndarje të nevojshme buxhetore dhe duke akuzuar qeverinë që me kryerjen e këtyre pagesave po thyente ligjin dhe kushtetutën dhe po shkatërronte ekonominë e vendit, dhe më akuzonin mua si ministër i Financave me padi pse kisha autorizuar këto pagesa”, ka thënë ai.

Bislimi po ashtu ka komentuar edhe kritikat e opozitës për programin qeverisës.

Bislimi: Opozita po thotë gjeni mjetet financiare për idetë dhe propozimet e opozitës

“Si ka mundësi që kritika kryesore e dy ditëve të mëhershme ndaj programit qeveritar të jetë pamundësia që i njëjti të realizohet për shkak të kufizimeve buxhetore. Ju rikujtoj cilësimin e programit qeverisës si listë dëshirash dhe vajin për pamundësinë e financimit të shtesave për fëmijët dhe çerdheve të fëmijëve, të cilat bashkërisht kushtojnë rreth 80 milionë euro. Ndërsa, në të njëjtën kohë vijnë me sugjerime që qeveria të rritë shpenzimet për 90 milionë euro për pensione. Po del se mesazhi i djeshëm paska qenë i tipit ‘Ju nuk keni mjete buxhetore për të realizuar prioritetet që keni listuar dhe premtuar. Andaj gjeni mjetet financiare për idetë dhe propozimet e opozitës’”, ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës po vazhdon debatin për interpelancën e ftuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbi shtesat për pensionistët, stafin shëndetësor dhe institucionet e sigurisë.

***

Ulja e shtesave për pensionistë dhe familjet në asistencë sociale, po kritikohet nga deputeti i PDK-së Elmi Reçica, sipas të cilit një gjë e tillë po ndodh në kohën kur kanë shënuar rritje çmimet e produkteve ushqimore dhe kosto e lartë e trajtimit me COVID-19.

Deputeti Reçica në seancën e sotme të Kuvendit tha se në kohën kur çmimi për vaj është rritur deri 60 për qind, trajtimi i pacientëve me COVID-19 kushton deri në tre mijë euro, është tallje me kategoritë sociale dhe pensioneve të ulen shtesat.

Reçica: Qeveria po tallet me familjet sociale dhe pensionale kur çmimet janë rritur deri 60 %

“A jeni të vetëdijshëm që muajve të fundit ka ngritje të çmimeve në treg për vajin sipas disa vlerësimeve deri 60 për qind si dhe të artikujve të tjerë kryesorë ushqimorë. Ka ngritje të çmimeve të derivateve apo s’ka? A jeni të vetëdijshëm që këto shtesa për familjet në asistencë sociale dhe pensionale do të thonë asgjë kur kemi parasysh ngritjen e çmimeve në treg. Familjeve kosovare në asistencë sociale dhe pensionale u duhet të sigurojnë ilaçet me buxhetin vetanak për anëtarët e familjarët e prekur me COVID-19 dhe koston e lartë të branave për trajtim që sipas disa vlerësimeve mjekimi për një individ të prekur me COVID shkon nga 2-3 mijë euro. Dhe shto faktin tjetër që ende nuk kemi vaksina për të parandalua COVID-19. Shtesat e miratuara nga qeveria për familjet me asistencë sociale dhe pensionale janë tallje dhe hajgare për këto familje”, tha Reçica.

Seanca është duke u zhvilluar pas pauzës për interpelancën e thirrur nga AAK për ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në lidhje me “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë”.

 

Kuvendi shkon në pauzë deri në ora 14:30

Pas më shumë se dy orë diskutimesh, deputetët e Kuvendit kanë shkuar në pauzë deri në ora 14:30.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë ku në rend dite është interpelanca me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në lidhje me “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë”.

Opozita ka kritikuar Qeverinë për uljen e shtesave të skemave sociale, ku kanë kërkuar që të shqyrtohet ky vendim edhe njëherë.

***

Tahiri: Vendimi për uljen e shtesave të anulohet nga qeveria

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka kërkuar anulimin e vendimit për uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë. Sipas tij, vendimi i Qeverisë Kurti është skandaloz, meqë kështu janë shpërfillur të gjitha kategoritë e përfshira në këtë vendim.

Në interpelancën e ftuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Tahiri tha se vendimi për shtesat është ndër vendimet e para më të gabuara dhe më skandaloze.

Tahiri: Është një ndër vendimet e para më të gabuara dhe më skandaloze

“Është një ndër vendimet e para më të gabuara dhe më skandaloze, përmes së cilit ka shpërfillur dhe injoruar shëndetin dhe mirëqenien e mbi 150 mijë pensionistëve, mbi 13 mijë staf profesional shëndetësor të cilët për hir të vërtetës qëndrojnë çdo ditë në vijë të parë të frontit, ballafaqim me pandeminë. Si dhe 9911 policë dhe staf të tjerë të sigurisë që për çdo ditë merren me sigurinë publike dhe që kanë marrë detyra shtesë në mbrojtjen dhe ballafaqimin e pandemisë COVID-19”, ka thënë Tahiri.

Më tej, Tahiri ka shtuar se kjo shtesë nuk është asgjë më shumë se kompensim minimal që u bëhet atyre që kanë bërë punë shtesë dhe pensionistëve. Sipas tij, pensionistëve me këtë vendim nuk po u njihet kontributi jetësor që vazhdimisht janë përballur me sfida.

Tahiri: Pensionistëve iu është rrezikuar shëndeti me këtë vendim

“Edhe nëse nuk kanë asnjë problem me shëndetin, iu është rrezikuar shëndeti drejtpërdrejt me këtë vendim, i cili për ne është skandaloz. 4,5 milionë euro në muaj të ndara nga kjo kategori apo 30 euro për një pensionist është e pakta që mund të bëjmë për prindërit dhe për gjyshërit tanë. Edhe sikur të kishin trefishin e kësaj vlere, prapë se prapë pensionistët kanë nevoja elementare, duke e ditur problemet me moshën si dhe me pandeminë”, ka shtuar ai.

Për më tepër, ai tha se shtesat nuk kanë ndikim negativ në shpenzimet buxhetore, për meqë pensionistët nuk e kanë luksin të ruajnë para.

Tahiri: Vendimi i qeverisë Kurti të anulohet dhe të shihet mundësia e rritjes së kësaj vlere

“Është shumë e domosdoshme që vendimi i Qeverisë Kurti të anulohet dhe të shihet mundësia e rritjes së kësaj vlere që sado pak të rrisin përkujdesin shëndetësor të kategorisë më të rrezikuar dhe më të injoruar të shoqërisë. Tek personeli shëndetësor, duke qenë se jemi në pandemi dhe duke e ditur të gjithë rolin e tyre, është bartësi kryesor i barrës për menaxhimin e kësaj situate. Ata për çdo ditë të vetme janë të rrezikuar nga COVID-19. Rrezikojnë po ashtu familjet dhe të dashurit e tyre dhe përkundër këtyre sfidave janë të përkushtuar çdo ditë në luftimin e pandemisë”, ka theksuar ai.

Tahiri shtoi se 250 euro shtesë për mjekë, 150 euro për infermierë dhe 100 euro për staf mbështetës, janë shumë pak për të mbuluar shpenzimet e tyre.

***

Ministri Murati i quan populliste reagimet e opozitës për uljen e pensioneve

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, e ka quajtur popullizëm brengën e opozitës sa i përket skemave sociale.

Ministri Murati ka thënë se të thuhet se ka pasur zbritje të shtesave është një gabim logjik.

“Të thuhet se ka pasur zbritje është gabim logjik sepse në muajin prill nuk ka pasur shtesa. A është brengë reale kjo e opozitës apo është popullizëm, për me dëshmua duhet të kthemi në vitin e kaluar në korrik dhe na tregoni sa kanë qenë shtesat për pensionistë, për mjekë e për policë, shtesat kanë qenë zero. Gjendja në sistemin pensional nuk është e mirë”.

Opozita ka kërkuar që të anulohet vendimi për ndaljen e shtesave për pensionistët, stafin mjekësor dhe policinë.

Tahiri i AAK-së kërkon që të anulohet vendimi për uljen e pensioneve

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri tha se shtesat nuk janë asgjë më shumë se një kompensim minimal i punës dhe rrezikut për këto kategori, pa përshirë lodhjen e shqetësimin për familjet, e po ashtu është përkrahje minimale për sigurim të ekzistencës për kategoritë sociale e pensionistët.

“Kjo temë kërkon debat serioz, e përmbajtjesor nga qeveria e kuvendi. Para së gjithash, duhet theksuar se shtesat, nuk janë asgjë më shumë se një kompensim minimal i punës dhe rrezikut për këto kategori, pa përshirë lodhjen e shqetësimin për familjet, e po ashtu është përkrahje minimale për sigurim të ekzistencës për kategoritë sociale e pensionistët. Pra, debati në kuvend, duhet të shtrohet mbi këto të vërteta, përkundër se gjendja e ballafaqimi mbetet i njëjtë, shto këtu faktin e lodhjes sistematike, e ku shumicës prej tyre u është rënduar situata qoftë shëndetësore e socio-ekonomike”, tha Tahiri.

Ai tha se sipas vlerësimeve nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), Mars 2021, rritja e çmimeve të produkteve bazë ishte 1.2% sipas këtyre vlerësimeve, rreth 40% e të ardhurave në ekonomitë familjare kosovare, shkojnë për konsum ditor.

“Tashmë e 14 muaj ballafaqim me pandeminë, efektet janë më të dukshme, që domosdo i afekton direkt këto kategori, e secilin qytetarë, pasur parasysh shpenzimet e mjekimit, reduktimin e të hyrave në familje, e po ashtu edhe pasojat psikologjike. Ulja e shtesave, jo vetëm se ka prekur direkt ekonomitë familjare, por para së gjithash, ka dekurajuar gjithë ata mjek, polic, inspektor e shërbyes, e po ashtu, ka rritur pasigurinë për kategoritë sociale e pensionistët, në këtë kohë që pothuajse në të gjitha produktet bazike ka rritje çmimesh. Sipas vlerësimeve nga indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), Mars 2021, rritja e çmimeve të produkteve bazë ishte 1.2% sipas këtyre vlerësimeve, rreth 40% e të ardhurave në ekonomitë familjare kosovare, shkojnë për konsum ditor. Pra, në atë që konsumatorët kanë blerë me 100 Euro, s’mund ta blejnë me 130 Euro. Ndërkaq përderisa, pensionistët kanë marrë shtesë, 30 Euro, tashmë ata marrin 10 Euro”, shtoi Tahiri.

“Përtej, këtyre shtesave, nuk duhet harruar edhe se vendimi paraprak, ka mbuluar edhe një pjesë të kostos së energjisë elektrike, duke ndikuar në rënien të shpenzimeve. Tashmë, kjo përkrahje nuk është vazhduar e që do ta rëndoj edhe më shumë, barrën socio-ekonomike të këtyre familjeve”.

“Ajo qka është për turp ne politika pa dallim, në fushata e takime rrezikuam rritjen e numrit e rrezikun këto kategori. E si për shpagim, ndër vendimet e para, pa asnjë konsultim erdhi vendimi për uljen e këtyre shtesave. Andaj, ju ministër, qeveria, e ne kuvendi, në këto rrethana, me gjithë këto pasoja e kufizime, së paku duhet të ruajmë sinqeritetin, t’ju a themi mjekëve, policëve, inspektorëve, pensionistëve e kategorive sociale, se në fushata u harrua pandemia, përderisa ju u ballafaquat, e ndërkaq kur erdhi koha për vendime, ne ju harruam”.

Tahiri ka kërkuar që të sillet në Kuvend Ligji i Pagave në mënyrë që kompensimi i mundit e rrezikut të jetë i normuar.

“Pres, që shpejt ta kemi në kuvend Ligjin e Pagave, që kompensimi i mundit e rrezikut të jetë i normuar, në mënyrë që të këto kategori të mos jenë në mëshirën e vullnetin e politikës, e po ashtu së bashku ta definojmë pagesën e zjarrfikësve, përmes Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, që ti japim fund trajtimit që gjatë është i padrejtë e aspak falënderues. Për këtë e kemi deklaruar përkrahjen ashtu siç do ta keni për secilin vendim e nismë në të mirë të qytetarëve”, përfundoi Tahiri.

“Përplasje” mes kryeministrit Kurti dhe deputetit të PDK-së, përmendet Thaçi dhe marrëveshja që ai nënshkroi në dëm të Kosovës

Gjatë seancës së sotme, deputeti nga PDK-ja, Fadil Nura në pikën e rendit për të parasthruar pytjet parlamentare, i ka parashtruar pyetje kryeministrit të vendit Albin Kurti.

Nura e pyeti kryeministrin Kurti sa i përket marrëveshjes së së nënshkruar në prill të 2013, për të cilen Kurti e kishte quajtur marrëveshje të fshehtë dhe të rrezikshme për vendin.

“Zotëri kryeministër, para një viti, më saktë më 26 shkurt 2020 si kryeministër i vendit patët thirrë një konferencë të jashtëzakonshme për media me të cilën denoncuat ashpër marrëveshjen e 19 prillit 2013 mes Kosovës dhe NATO-së, konferencë më të cilën shokuar opinonin publik me atë që thatë por që opinoni publik për herë të parë panë që një kryeministër i Kosovës panë teksa denoncon një marrëveshje me perëndimin më përkatësisht me alenacën veri atalantike. Këtë marrëveshje e kualifikuat si marrëveshje të fshehtë, sekrete, jashtëzakonsiht të dëmshme dhe antikushtetuese,akuzuat direkt presidentin Thaçi duke e konsideruar direkt si shkele të rëne kushtetuese deri në disa elemente të tradhtisë komëbtare, duke iu drejtuar Porkurorisë së shtetit dhe Kuvendit të Kosovës. Zotri kryeministër pas një viti ju realizuat një takim në Bruksel, përkatësisht me sekrtarin amerikan të NATO-së, a e adresuat shqetësimine e juaj këtë marrëveshje siaps jush që ishte e fshehtë 19 prillit 2019, dhe cili është qëndrimi i juaj në këtë aspekt”, pyeti deputeti Nura.

Kryeministri Kurti i ktheu përgjigje deputetit të PDK-së, duke i thënë se të njejtin qëndrim mban edhe sot dhe se në atë kohë e as tash nuk e ka akuzuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-së por ata të cilët kanë vënë firmën dhe rrezikuar insistucionet e Republikës së Kosovës.

“Ju faleminderit për pyetjen, marrëveshja në fjalë që ishte shkëmbim i letrave që ju e permendi ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për Republikën e Kosovës dhe unë vazhdoj t’i qëndroj mbrapa atyre që kam thënë në shkurt të vitit 2020. Unë nuk kam akuzuar sekretarin e përgjithshëm të NATOS-s në lidhje me atë shkëmbim të letrave dhe nuk mund të kërkoj llogari prej tij por kam akuzuar titulluarin e atëhershëm të institucioneve të Kosovës që ka vënë firmën në këtë shkresë të tillë. Dhe kjo nuk mund të rregullohet me një takim të parë që e bëra. Marrdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe NATO-s do të vazhdojnë të thellohen, nuk keni nevojë të brengoseni”, tha Kurti në Kuvendin e Kosovës.

***

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në fjalën e tij në seancën e Kuvendit që po mbahet tani e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti nëse është rekrutuar nga shërbimet sekrete gjatë kohës sa ishte në burg.

“Kam dy pyetje për kryeministrin, Albin Kurti, a je i rekrutuar nga shërbimet serbe, a bën Serbia diçka mbi ty që të mban peng, sot e kësaj dite, a është Kosova e rrezikuar prej teje si i rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit në burg apo nga çlirimtarët që janë detyru me majt pushkën në dorë me luftu për lirinë e vendit duhet të deklarohesh sepse qarkullojnë gjatë këto edhe nga deklarimet e tua na bën me dyshu se mbahesh peng nga shërbimet serbe ”, tha Haradinaj.

“Dhe e dyta çka po i sjell Kosovës tregona kur po shkon në Bruksel”, tha Haradinaj.

Pas kësaj kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i kërkoi Haradinajt që të ketë kujdes me fjalorin parlamentar.

***

Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblidh sot në seancë të rregullt plenare.

Kjo seancë filloi punimet me një minutë heshtje në nderim të kompozitorit Fahri Beqirit.

Ai vdiq para dy ditësh në moshën 85 vjeçare.

Krahas punës së suksesshme krijuese më vlera artistike të ngritura e të qëndrueshme në kohë, Fahri Beqiri shquhet për aktivizmin e pashoq në jetën muzikore në Kosovë.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të ketë interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në lidhje me shtesat e pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë.

Pas interpelancës, pikë e rendit të ditës është edhe propozimi i Avokatit të Popullit bashkë me rekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në lidhje me zgjedhjen e 5 zëvendës-avokatëve të Popullit.

Tjetër pikë e rendit të ditës është votimin lidhur me përbërjen e Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim.

***

Sot do të mbahet Seanca plenare e Kuvendit.

Rendi i ditës

1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

2. Pyetjet parlamentare,

3. Interpelancë me ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati në lidhje me “Uljen e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë”,

4. Shqyrtimi Propozim-vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 formimin e komisioneve parlamentare,

5. Zgjedhja e pesë (5) zëvendësve të Avokatit të Popullit.